Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, rreth zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës. Vuçiq ka thënë se është paralajmëruar nga Blinken për masa ndëshkuese ndaj Serbisë “nëse nuk sillen siç duhet”.
“Blinken foli edhe për disa masa, thashë se jam kundër”, shtoi Vuçiq.
Gjithashtu, Vuçiq më tej ka shtuar se janë pajtuar për deesaklimin e situatës, duke theksuar se duhet të rritet roli i KFOR-it.
“Nuk është bisedë e lehtë me Blinkenin, për disa gjëra ramë dakord, për disa jo. Nevojitet shtensionim, rol më i madh i KFOR-it. Serbia gjithmonë do ta mbështesë atë rol, ne do të donim që të ishte ekskluziv, sidomos në veri. Mohova të pavërteta që thonë se kemi shkallën më të lartë të gatishmërisë të ushtrisë sonë. Unë nuk kam nënshkruar dhe nuk jemi pajtuar për natyrën e asaj që ka ndodhur, veçanërisht lidhur me sovranitetin e Kosovës”, ka thënë Vuçiq, shkruan “Nova.rs“.
Sa i përket masave ndaj Serbisë, para dy ditësh REL-i ka raportuar se përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë diskutuar të martën mbrëma për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe disa prej tyre kanë kërkuar që të vendosen masa ndaj Serbisë, nëse dëshmohet lidhja e saj me sulmet ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.