Raportuesi përgjegjës për Ballkanin Perëndimor i partisë FDP në Bundestagun gjerman, Thomas Hacker, ka kërkuar masa nga Bashkimi Evropian (BE) ndaj Milan Radojçiq pasi ky i fundit deklaroi se ka marrë pjesë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës, të dielën e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Hacker, në një deklaratë të publikuar të premten në mbrëmje ka thënë se nëse Radojçiq ndodhet në Beograd dhe aty merr mbrojtje, është i nevojshëm ekstradimi në Republikën e Kosovës, dhe se BE-ja duhet të vijojë me konsekuenca dhe të vendosë sanksione kundër tij.
“Nëse ai ndodhet në Beograd dhe aty merr mbrojtje, është i nevojshëm ekstradimi në Republikën e Kosovës. BE-ja duhet të vijojë me konsekuenca dhe të vendosë sanksione kundër tij”, ka shkruar ai, raporton DW.
Hacker ka thënë se Radojçiq duhet të mbajë përgjegjësi para ligjit për këtë “akt të neveritshëm dhe të pajustifikueshëm”.
“Deklarimi i Milan Radoiçiqit jep më shumë qartësi për ata që qëndrojnë pas grupit kriminal që janë bashkë-përgjegjës për vrasjen e një polici kosovar. Milan Radoiçiq duhet të mbajë përgjegjësi para ligjit për këtë akt të neveritshëm dhe të pajustifikueshëm”, ka shkruar ai.
Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, ka publikuar dje pamje (video) të vilës luksoze të Milan Radojçiqit.
Sveçla ka thënë se pamjet dëshmojnë se nuk bëhet fjalë për asnjë “luftëtar lirie”, por për një Pablo Escobar të rajonit.
“Ne e kemi dëshmuar edhe me pamje dhe me prova të tjera që udhëheqësi i këtij grupi ishte Milan Radojciq. Edhe nga pamjet që po shihen, dëshmohet se nuk bëhet fjalë për asnjë ‘luftëtar lirie’, por për një Pablo Escobar të rajonit. Nën maskën e mbrojtësit të qytetarëve ai dhe bashkëpunëtorët e tij u bënë multimilionerë në kurriz të ligjit, shtetit dhe qytetarëve të tjerë”, ka thënë ai.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka dhënë detaje për operacionin e Policisë së Kosovës në veri, ku pati bastisje në pesë lokacione, shumica prona të kriminelit Milan Radojçiq.
Lexo dhe: Prokuroria tregon se çfarë u konfiskua në disa prona të Radojçiqit
“Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se operacioni Policor ndërlidhet me sulmin terrorist të datës 24.9.2023, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, si dhe urdhër kontrolli është zhvilluar në pronat e të dyshuarve M.R dhe V.R. dhe në hapësirën e një objekti ndihmës të Spitalit Rajonal në Mitrovicë-Veri. Ky objekt i spitalit përdoret për sistemin e ngrohjes së spitalit dhe nuk ndërlidhet me hapësirat e spitalit ku trajtohen pacientet”, thuhet në njoftim.