Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 26-vjetorin e protestave studentore dhe në nderim të jetës dhe veprës së profesorit Ejup Statovci, këtë të diel ka bërë homazhe tek varri i tij, së bashku me Bujar Dugollin, Driton Lajçin, Hajrullah Koliqin, Ahmet Gecën, Lulëzon Jagxhiun, Jeton Rexhën dhe Atdhe Hykollin.
“Duke e vlerësuar lartësisht kontributin e profesorit Statovci, pas homazheve kryeministri Kurti tha se ky nderim tek varri i tij tregon se nuk e harrojmë atë datë dhe shtoi se i kemi aq shumë borxh profesor Statovcit i cili Universitetin e Prishtinës e lartësoi edhe në aspektin ndërkombëtar e poashtu edhe atë politiko-shoqëror në kushte tejet të vështira”, njofton Kryeministria.
Bujar Dugolli ka thënë se profesori Ejup Statovci ishte në ballë bashkë me studentët dhe një shtyllë e madhe e përkrahjes që e pati lëvizja e studentëve.
“Nga pjesëmarrësit u përkujtua dhe rektori Kelmendi i cili ishte pasues i rektorit Statovci, gjithashtu dhe veprimtarin e liderin studentor nga Mitrovica Ali Ahmeti për kontributin e dhënë për studentët, universitetin dhe shoqërinë”, thuhet tutje në njoftim.
Këtë të diel janë mbushur 26 vjet nga protestat e Lëvizjes Studentore të vitit 1997.
Lëvizja Studentore organizonte protesta për të kundërshtuar pushtimin e Kosovës nga Serbia dhe kthimin e studentëve në objektet universitare, të cilët ishin dëbuar nga regjimi i Slobodan Millosheviqit.
Lexo dhe: 26 vjet nga protestat studentore
Vite më parë regjimi kishte vendosur masa të dhunshme në universitet por përpos tyre ai dëboi studentë e profesorë nga universiteti dhe imponoi plan-programin serb për mësim.