Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Dipasporës, Donika Gërvalla, ka bërë thirrje që bashkësia e organizuar ndërkombëtare t’i vendosë sanksione Serbisë pas sulmit terroriste të 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Ajo ka thënë se dronët e sekuestruar nga grupi terrorist kanë dhënë dëshmi të tjera për përfshirjen e drejtpërdrejtë të Serbisë në sulmet kundër Kosovës.
“Pamjet me dron zbulojnë se grupi terrorist u trajnua në Pasuljanske Livade, një nga bazat kryesore të Ushtrisë Serbe, si dhe në bazën e Kopaonikut. Është evidente se sulmet janë orkestruar me mbështetjen dhe planifikimin e plotë të shtetit serb. Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të vendosë sanksione ndaj regjimit të Vuçiqit. Serbia duhet të mbajë përgjegjësi dhe të përballet me pasoja. Vetëm sinjalet e qarta kundër regjimit të Vuçiqit do të ndalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë që të mos e nënvlerësojnë më rrezikun e madh”, shkroi ajo.
The drones seized from the terrorist group have provided further evidence of the direct involvement of Serbia in the attacks against the Republic of Kosova. https://t.co/kSTwxENSUJ
— Donika Gërvalla-Schwarz (@gervallaschwarz) October 1, 2023
Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar disa pamje të cilat sipas tij dëshmojnë stërvitjet e terroristëve serbë, që vranë dhe kryen sulmin e 24 shtatorit në Bansjkë.
Në një postim në llogarinë e tij në “X”, Kurti ka thënë se terroristët ishin trajnuar katër ditë para sulmeve, në njërën prej bazave kryesore të Ushtrisë Serbe, Pasuljanske Livade.
Të tjera stërvitje, Kurti thotë se u zhvilluan në bazën e Kopaonikut.
Për sulmin në veri, kreu i ekzekutivit thotë se u bë nën mbështetjen dhe planifikimin e plotë të shtetit serb që drejtohet nga Aleksandar Vuçiq.