Pas njoftimit se Britania e Madhe do të dërgojë trupa shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, pas sulmit vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit javën e kaluar, ka reaguar Aleanca Veriatlantike.
Në një përgjigje për RTV Dukagjini nga NATO, thuhet se trupat janë tërhequr nga rezerva strategjike e NATO-s për Ballkanin Perëndimor.
“Trupat rezervë po përforcojnë operacionin paqeruajtës të NATO-s të Forcave Kosovare (KFOR) pas një kërkese të Komandantit Suprem të Aleatëve për Evropë, të miratuar të dielën nga Aleatët në Këshillin e Atlantikut të Veriut. Trupat janë tërhequr nga rezerva strategjike e NATO-s për Ballkanin Perëndimor”.
Mbretëria e Bashkuar po vendos rreth 200 ushtarë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit për t’iu bashkuar një kontingjenti prej 400 trupash të Mbretërisë së Bashkuar që tashmë po ushtrohet në Kosovë.
Por sipas NATO-s, “përforcime të mëtejshme do të pasojnë edhe nga aleatët e tjerë”.
Ky vendim vjen pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe rritjes së tensioneve në rajon.
“Ky është një hap i kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i ka forcat dhe aftësitë që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së: të mbajë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë. KFOR-i do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme për të mirën e sigurisë në Kosovë dhe rajon”, vijon përgjigja.
NATO i ka bërë thirrje të dy palëve që të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i cili sipas tyre është mënyra e vetme për të arritur paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm për të gjitha komunitetet.
“Të gjitha palët gjithashtu duhet të përmbahen nga retorika nxitëse, e cila është kundërproduktive dhe rrezikon përkeqësimin e mëtejshëm të tensioneve”.