Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrat e linjës është takuar me kryetarët e komunave të Kosovës.
Fillimisht, Kurti i ka falënderuar kryetarët për mbështetjen që ia kanë dhënë Policisë së Kosovës me rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit. Me këtë rast, edhe është mbajtur një minutë heshtje në nderim të rënies në detyrë të rreshterit Afrim Bunjaku.
Kurse, në kuadër të diskutimit për komunat, Kurti ka bërë të ditur se është miratuar legjislacioni që komunat të raportojnë dhe të përfitojnë nga grantet në bazë të performancës dhe jo preferencës.
“Bazuar në ligjin për sistemin e menaxhimin për performancën e komunave dhe skemën e grantit të bazuar në performancë kemi miratuar legjislacionin që komuna të raportojnë dhe përfitojnë në performancë dhe jo preferencë. Të gjitha komunat t’i respektojnë afatet e përcaktuara për raportim, sepse në të kundërtën bëjnë shkelje ligjore”, tha ai.
Tutje, ai tha se granti për komuna për vitin 2024, e kap shumën 284.7 milionë euro, që, sipas tij, “ paraqet vlerën me të madhe për këtë grand”.
Kjo, sipas Kurtit, vjen për shkak të rritjes së buxhetit.