Gazetari Lirim Mehmetaj e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës në lidhje me kërkesën e saj për shtimin e trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Mehmetaj në Debat Plus, tha se kjo kërkesë është identike më kërkesën e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, i cili sipas tij po ashtu ka kërkuar shtimin e forcave të KFOR-it.
Gazetari Mehmetaj tha se në kohën kur Policia e Kosovës ka treguar aftësi profesionale në lidhje me sigurinë në veri të vendit, nuk është dashur të ketë kërkesa për shtim të prezencës së KFOR-it në veri.
“E arritëm një fitore në terren ku policia e Kosovës u dëshmu që me profesionalizëm të lartë e mbron territorin e Kosovës, Qeveria e Kosovës njëjtë sikurse Vuciqi kërkon shtimin e forcave në veri, shtimin e forcave të KFOR-it. KFOR-I është prezent në Kosovë sipas rezolutës 12-44, e cila nuk e njeh Kosovën shtet. E kam të paqartë pse në momentin kur institucionet e Kosovës me profesionalizëm të lartë e mbrojnë territorin e Kosovës, Qeveria del e thotë më shumë KFOR në veri e cila është kërkesë identike me këtë të Vuciqit”, ka thënë ai.
Kjo kërkesë sipas tij do ta dobësoj rolin e Kosovës në dialogun me Serbinë.
“Situata i ka kriju hapësirë negociuese bashkësisë ndërkombëtare. Ka me qenë e vështirë për Kosovën të bëj deklarime duke thënë [nuk e bëjmë atë ose këtë], kur jetë vetë shteti që thërret për ndihmë. Po më vyen KFOR në veri me më siguru. Njëjtë sikurse Serbia…”, ka thënë ai.