Anëtarja e Komisionit Hetimor për të Drejta të Njeriut, Ariana Musliu-Shoshi, ka njoftuar se kanë pranuar një peticion nga Sindikata e Policisë së Kosovës, nëpërmjet të cilit kërkohet përmirësim i kushteve të punës.
Musliu-Shoshi ka shkruar në Facebook se peticionin e kanë nënshkruar 5623 pjesëtarë të policisë, e në mesin e kërkesave janë shtesa e rrezikshmërisë në punë, shtesa për punë të veçantë, klasifikimi në koeficient për stafin civil, shujta mujore, shpërblimi për fund të vitit për performancë të mirë, tri paga përcjellëse për të pensionuarit, zbritje e përvojës së punës, sigurim shëndetësor e jetësor dhe Ligji për pensionim në polici.
Shoshi tutje ka thënë se kërkesat e tyre janë të domosdoshme dhe se duhet të aprovohen pa asnjë vonesë.
“Policia e Kosovës meriton përkrahje me vepra, boll me fjalë! Pushteti me votë në Kuvend duhet të dëshmoj përkrahjen!”, ka shkruar Shoshi.
Deputetja nga radhët e PDK-së, Musliu-Shoshi ka thënë se nëpërmjet votës, pushteti duhet të dëshmojë përkrahjen.