Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vizituar të mërkurën punimet në lagjen “Arbëria”, që po bëhen për shtrirjen e ngrohtores “Termokos”, ku ka thënë se 40 mijë banorë po bëhen me ngrohje qendrore për herë të parë.
Ai ka thënë se kjo po bëhet për shkak të punës së pandalshme të ndërmarrjes “Termokos”.
“Sot 40,000 banorë të Prishtinës bëhen për herë të parë me ngrohje qendrore sivjet. Kjo falë punës së pandalshme të ndërmarrjes ‘Termokos’ këtë verë. Sot, i vizitova punimet e fundit për këtë sezonë në lagjen Arbëria në kryeqytet. Aty po shtroheshin 700 metrat e fundit për këtë vit”, ka shkruar Abdixhiku në rrjetin social Facebook.
Tutje, Abdixhiku ka thënë se planiprogramin e tyre të quajtur “Rruga e Re”, kanë paraparë plot 120 milionë euro investime me qëllim të dyfishimit të qasjes në ngrohje.
“Termokos ka punuar në lagjet Dardani, Ulpianë, Qendër, Qafë, Bregu i Diellit, Dodonë, Mat I e Arbëri. Punë e madhe, angazhim profesional, shërbim për qytetarë. Në ‘Rrugën e Re’ kemi paraparë plot 120 milionë euro investime me qëllim të dyfishimit të qasjes në ngrohje”, ka shkruar Abdixhiku.