Kanceri i gjirit është patologjia malinje më e shpeshtë te gratë me rreth 32% të të gjithë tumorëve malinj që prekin ato.
Gratë të cilat kalojnë këtë sfidë janë të detyruara të amputojnë gjirin e tyre.
Një gjendje e cila pos që ndikon në pamjen fizike te gratë, ndikon edhe në anën emocionale e psikike.
Kohët e fundit, në Klinikën Plastike të QKUK-së po bëhet rikonstruktimi i gjirit dhe lidhur me këtë Gazeta Shneta ka realizuar një intervistë me drejtoreshen e Klinikës Plastike dhe njëkohësisht inicatoren e këtij rikonstruktimi të gjirit doktoreshën Violeta Zatriqi.
Doktoresha Zatriqi ka ndarë me ne detaje se si realizohet operacioni i rikonstruktimit të gjirit dhe rëndësinë e këtij operacioni.
Sipas drejtoreshës, rikonstruktimi i gjirit te ne në Kosovë është një problem, i cili daton nga periudha e pasluftës dhe, i cili, fatkeqësisht, nuk ishte menduar që të realizohet në vendin tonë.
“Është një problematikë jashtëzakonisht e madhe e cila daton që nga periudha e pasluftës që mbi 20 vite nuk është bërë kurrë rikonstruksioni dhe them të drejtën nuk është mendu fare për mirëqenien e gruas kosovare. Në vendet e perëndimit kjo është një procedurë që e mbështet edhe Sigurimi Shëndetësor dhe është procedurë e cila bëhet që në aktin fillestar”, ka theksuar Zatriqi.
Këtë nismë e ka filluar doktoresha Violeta që nga emërimi në pozitën e drejtoreshës. Ajo e kishte filluar edhe vite më parë me kirurgët torakalë, onkologë dhe radiologë, por që nuk kanë arritur një bashkëpunim që t’i referonin gratë që një mundësi e tillë mund të jepet në QKUK.
“Që me marrjen e pozitës si drejtoreshë në kirurgjinë plastike, tani bëhen dy vite në dhjetor kam fillu iniciativën dhe dëshirën time të kamotshme për t’i ndihmuar këtyre grave. Kjo ka qenë iniciativë që e kam fillu edhe vite më herët me kirurgët torakalë, onkologët dhe radiologët, pasi ata janë hallka e parë që atakohen gratë me kancer të gjirit, por kurrë nuk kemi arritë një bashkëpunim që të referohen këto gra t’u jepet një mundësi në QKUK për rikonstruktim të gjirit”, shtoi Zatriqi.
Doktoresha Violeta na informoi për rrjedhën e këtij operacioni i cili konsiston në dy forma.
“Operacioni estetik i rikonstruksionit konsiston në dy forma. Eshtë ai primar dhe ai sekondar. Rikonstruksioni primar nënkupton që gruaja kur futet në operacion informohet paraprakisht me procedurat që do t’i bëhet amputimi i gjirit. Kjo përfshin formën primare ku gruaja futet në sallë i largohet kanceri dhe në të njëjtin akt i bëhet rimodelimi i gjirit. Kjo e ndihmon gruan në aspekte të ndryshme, pasi del e plotë më një organ jo të amputuar. Rikonstruksioni sekondar të cilin po e aplikojmë tani është pas dy vitesh, pasi është rikuperu nga kanceri i gjirit ku bëhet rikonstruksioni i gjirit me metoda të ndryshme. Për këtë rikonstruksion përgjegjës është kirurgu plastik. Ne e dimë se sa kemi mundësi dhe me cilat metoda. Varësisht se çfarë indikacione ka pacientja pasi ka disa metoda rikonstruktive. Këto metoda po i aplikojmë që dy vjet”.
Zatriqi ka bërë të ditur se “Para dy jave kam realizuar javën e rikonstruksionit të gjirit ku kemi operu diku rreth 17 javë të gjitha kanë shku mirë dhe nga java e dytë e qershorit do të fillojmë me mbushjen e këtyre ekspanderave. Procedura shkon diku rreth dy muaj nga momenti i parë.Këto gra duhet të futen dy herë në operacion, momentin e parë ku bëhet përzgjedhja e ekspanderit indor. Operacioni zgjat më së shumti 1 orë dhe të nesërmen lirohet pastaj vjen në kontrolla sistematike çdo dy javë tri për ta mbushur gjirin dhe akti i dytë i operacionit pas disa muajsh largohet ekspanderi dhe vendoset implanti i cili është i përhershëm”.
Më tutje, doktoresha na tregoi se mungon bashkëpunimi me kirurgët torakalë, onkologët dhe radiologët të cilët hezitojnë t’i njoftojnë gratë e prekura nga kanceri se këto operacione bëhen në QKUK.
Mosinformimi i grave lidhur me këto operacione dhe keqinformimi i grave ndikon në pasigurinë e grave që t’u nënshtrohen këtyre operacioneve.
“Nuk kemi gjetë bashkëpunim me kirurgët torakalë onkologët dhe radiologët, sepse ata ende hezitojnë t’i njoftojnë gratë që këto operacione bëhen në QKUK dhe ne i kemi shfrytëzu mediat. I kemi diku rreth 150 gra të cilët janë lajmëru. Mjafton këto gra të keqinformohen se futja në operacion përsëri është rrezik për to e që në fakt këto janë të pavërteta, sepse këto operacione nuk kanë efekte anësore dhe grupi i kirurgëve që janë diku 13 janë profesionalë dhe të specializuar. Ky operacion nëse bëhet në spitale private në vendet tjera u kushton diku rreth 5 mijë, ndërsa ne e bëjmë pa pagesë. Për momentin janë diku 100 gra të cilat po presin, por ka disa gra në momentin e fundit po bindin nga rrethi e po hezitojnë pasi po ndikohen nga mjekët”, tregoi Zatriqi.
Përkundër zërave se këto operacione nuk mund të realizohen, drejtoresha Zatriqi tregoi ecuritë se si ka ecur ky proces duke filluar fillimisht nga donacionet e deri te mbështetja e organeve shtetërore të ShSKUK-së.
“Fillimisht kemi punuar përmes donacioneve d.m.th., kur e kemi fillu këtë punë ka pasë shumë zëra që nuk mund të realizohen. Ne kemi fillu me punën më të lehtë që është me implante që fillimisht vendosen për me rrit lëkurën. Më vjen keq të them, por gjatë vizitave të grave kemi parë aq pak lëkurë, aq pak është përkujdes operatori që të mendojë për një fazë të mëtejshme. Kemi fillu punën falë donacioneve nga zotëri Eriku nga Gjermania përmes një kompanisë të cilët nga kanë dhuru gratis ku kemi operu diku rreth 12 gra. Pastaj kam bërë kërkesë në organet shtetërore në ShSUKUK për blerjen e implanteve ku gjetëm miratim dhe mbështetje. I kemi diku rreth 50- 60 proteza që i kemi ble. Një femër 30-vjeçare dhe një zonjë 65-vjeçare i janë nënshtru operacionit”.
Më tutje, doktoresha Violeta tregoi se nuk do të ndalet me kaq dhe se është duke u përpjekur që këto implante e produkte të futen në listën esenciale.
“Unë shpresoj dhe po e ngris zërin që këto implante e produkte të futen në listën esenciale, sepse shteti duhet të mendojë për të gjitha kategoritë”, tha ajo.