Ambasadorët e QUINT-it, kanë lëshuar të premten një deklaratë të përbashkët lidhur me çështjen e pronës së Manastirit të Deçanit, duke i bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit.
Në deklaratën e përbashkët të QUINT-it, thuhet se në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë, ndërkaq përkundër këtij vendimi të ligjshëm dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar.
Po ashtu, tutje në deklaratë thuhet se zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike.
Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike.
“Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të bashkuar në mbështetjen e tyre për të ardhmen demokratike dhe evropiane të Kosovës. Prandaj, sërish i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit”, thuhet tutje në deklaratë.
Ndryshe, kontesti gjyqësor rreth çështjes se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyll –ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit mesjetar të Deçanit, ka zgjatur më shumë se 15 vjet.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2016 ka marrë vendim në favor të Manastirit të Deçanit, por ky vendim ende nuk është zbatuar.
Manastiri i Deçanit ka edhe një kontest me autoritetet lokale në Deçan, e që ka të bëjë me ndërtimin e rrugës kryesore Deçan-Plavë.