Një incident është shënuar gjatë seancës plenare të kësaj të enjteje, ku një operator i mediave të akredituara është qëlluar me rregulloren e Kuvendit nga ana e deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka.
Shkak për reagimin e Nokës ishte filmimi që kameramani po i bënte telefonit të ish-kryeministrit Berisha, shkruan Euronews Albania.
Në momentin që po filmohej, Berisha po shihte një video denoncim që i kishte ardhur në Whatsapp.
Në lidhje me veprimin e deputetit demokrat reagoi dhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, e cila i tërhoqi vërejtje Nokës dhe tha se duhet treguar respekt ndaj medias së lirë.
“Kam dhe një vërejtje ndaj jush zoti Noka, nuk mund të reagoni ndaj medias ashtu duke i qëlluar me rregulloren e parlamentit. Respekte ndaj medias së lirë, nuk mund të rri pa reaguar kur shoh një veprim të tillë. Nuk janë kameramanët e mi, por të medias së lirë”, ka thënë Nikolla.
Nga ana tjetër, deputeti Noka u shpreh se është e turpshme të filmohen telefonat e deputetëve të parlamentit.
“Është turp që filmohen telefonat e deputetit”, tha Noka.