Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka propozuar rezolutë për fuqizimin e Policisë së Kosovës.
Tahiri ka thënë se kjo Rezolutë përmban tri pika jashtëzakonisht të rëndësishme, përmes të cilave Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria hyjnë në një agjendë mbështetëse për Policinë e Kosovës.
“Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ju propozoj që ta plotësojmë, ndryshojmë rendin e ditës së kësaj seance. Ashtu siç ishim unikë para një jave, të jemi unikë që pjesë e rendit të ditës së kësaj seance të jetë një rezolutë me të cilën do ta mbështesim Policinë e Republikës së Kosovës. Kjo Rezolutë përmban tri pika jashtëzakonisht të rëndësishme, përmes të cilave Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria hyjnë në një agjendë mbështetëse për Policinë e Kosovës. Me anë të kësaj rezolute, ne propozojmë që 15 ditë nga miratimi i saj të ndahen mjetet për shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës. Po ashtu, brenda 60 ditëve të miratohet Projektligji për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policorë, kurse nga 1 janari 2024 të mbulohet pagesa e sigurimit shëndetësor për zyrtarët policorë”, ka thënë Tahiri.
Mirëpo, këtë propozim të PDK-së e ka kundërshtuar kryetarja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila.
Për këtë ka shkruar në Facebook deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, i cili theksoi se shumica parlamentare e VV-së votoi kundër diskutimit të kësaj Rezolute.