Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vlerësuar se situata në veriun e Kosovës është shumë e rrezikshme dhe se aktivitetet kriminale atje janë në përputhje me agjendat politike.
Kështu u shpreh kryeministri Rama në hyrje të samitit të Komunitetit Politik Evropian në Granada të Spanjës, të enjten e pesë shtatorit.
“Jam shumë i shqetësuar, sepse është një situatë shumë e rrezikshme dhe tani është në një pikë ku, vit pas viti, rreziku potencial është rritur, aktivitetet kriminale në atë pjesë ku jeton pakica serbe në shumicë janë të përputhura tërësisht me agjendat politike dhe me shumë nacionalizëm. Pra, është shumë e rrezikshme”, deklaroi Rama.
Teksa pyetet nëse mendon se duhet të merren masa ndaj Serbisë pas agresionit në Kosovë, Rama qëndron i bindur se kjo duhet të ndodhë.
“Jo vetëm që mendoj, por për herë të parë në së paku 10 vjet, Shqipëria nuk është rreshtuar me politikën e jashtme të BE-së pikërisht për këtë. Ne kemi qenë vazhdimisht në pajtim të plotë me BE-në dhe ShBA-në në lidhje me nevojën që autoritetet e Kosovës të ecin përpara, të jenë më proaktivë dhe më konstruktivë në dialog, dhe nga perspektiva jonë, të marrin avantazhin më të mirë nga plani franko-gjerman që është marrëveshje shumë, shumë e mirë për Kosovën dhe për rajonin, por në të njëjtën kohë, vetëm fakti se Republika e Serbisë shpalli ditë zie kombëtare për të vajtuar pjesëtarët e atij grupi kriminal paramilitar që vrau një polic ishte e mjaftueshme për BE-në që të thotë hapur se kjo nuk është evropiane, nuk është e pranueshme, nuk është e arsyetueshme dhe është e dënueshme”, tha Rama.
Ndërkaq, kur pyetet nëse mund të ketë luftë në Ballkanin Perëndimor, Rama thotë se para se të bëhet shumë vonë, duhet të ndërmerren masat.
“Lufta është fjalë e madhe, por para se të bëhet shumë vonë, duhet të merren masa. Jemi duke e përcjellë situatën, është shumë me rëndësi se ka vullnet shumë të fuqishëm nga NATO-ja që ta forcojë KFOR-in në veri, sepse kufiri atje është bërë krejtësisht transparent, ndodhin trafikime kriminale të armëve, dhe në të njëjtën kohë shpresojmë shumë se dialogu do të vazhdojë”, shtoi ai.
Ndryshe, rreth 50 liderë evropianë pritet të takohen në Granadë të Spanjës të enjten, në kuadër të një mbledhjeje të zgjeruar të quajtur Komuniteti Politik Evropian, me fokus në përmirësim të bashkëpunimit, pavarësisht përkeqësimit të konflikteve dhe të tensioneve në kontinent.
Takimi i tretë i tillë organizohet për t’iu dhënë shteteve mundësi për ta zgjeruar dialogun përtej kufijve të bllokut evropian me 27 anëtarë.
Ky organizim mëton të rrisë mundësitë për liderët që të takohen në grupe më të vogla për takime joformale, pa simbolikën dhe protokollet e vizitave shtetërore.