Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, të enjten mbajti një diskutim me përfaqësues nga Komiteti për Politikë e Siguri (PSC) gjatë qëndrimit të tij në Bruksel.
Në këtë takim, siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, ai prezantoi perspektivën evropiane të Kosovës dhe angazhimin e vendit për zbatimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve të nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Zëvendëskryeministri Bislimi foli edhe për situatën aktuale, duke theksuar aktin e agresionit të ndodhur më 24 shtator, ku u vra rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku.
Ai ka theksuar se ka shumë faktorë që lidhin institucionet e Serbisë me këtë akt, përfshirë organizimin e agresionit dhe pjesëmarrjen e truprojës së shefit të BIA-s, Vulin.
Po ashtu, Bislimi ka përmendur mjetin e gjetur tashmë të konfiskuar në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe vërtetimin e dhënë nga ushtria serbe për pajisje me armatim të rëndë, si dhe strehimin e terroristëve në Serbi dhe glorifikimin e tyre.
Zëvendëskryeministri, gjithashtu, ndau informacione mbi procesin e dialogut dhe takimin e fundit të nivelit të lartë të mbajtur më 14 shtator.
Zëvendëskryeministri Bislimi, gjithashtu, shprehu mirënjohjen e tij për iniciativën e Komisionit të BE-së për planin e ri për zgjerim, të prezantuar nga presidentja e Komisionit, Von Der Leyen, dhe pritshmëritë e Këshillit të BE-së për të arritur zgjerimin deri në vitin 2030.
Në vitin e kaluar, siç ka thënë Bislimi, Kosova arriti disa suksese të rëndësishme në rrugën drejt anëtarësimit në BE, përfshirë liberalizimin e vizave dhe aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në BE.
Gjithashtu, vendi, sipas tij, ka treguar progres në fusha të ndryshme, përfshirë sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e mediave.