Komuna e Prishtinës ka njoftuar se të shtunën dhe të dielën, duke filluar nga ora 06:00 – 23:40, do të vazhdojë testimi i dytë i shndërrimit të unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet.
Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve të kenë durim përgjatë kësaj periudhe provuese të ndryshimit të qarkullimit me automjete, meqenëse qëllimi kryesor i saj është zgjidhja afatgjate e lirimit të hapësirave të lëvizjes për këmbësorë sipas rekomandimeve të Task Forcës Rrugore, njëherësh edhe lirimi i mbingarkesës së trafikut rrugor.
Rrugët e përfshira do të jenë në këtë drejtim:
– Rruga “Agim Ramadani” që nga semaforët pranë ish-menzës së Studentëve e deri te rrethrrotullimi prapa ndërtesës së Komunës.
– Rruga “UÇK” nga Parlamenti e deri te ish-Kino Rinia
– Rruga “Migjeni” deri te ndërtesa e ish-OSBE
– Rruga “Luan Haradinaj” deri te semaforët pranë Bankës Qendrore
– Rruga “Garibaldi” deri te semaforët pranë Grandit
Po në këto data, rrugët e poshtëcekura do të jenë të mbyllura për automjete dhe do të shfrytëzohen për aktivitetet e parapara në “Festivalin e Pranverës”:
– Rruga “George Bush” deri te semaforët pranë Katedrales.
– Rruga “Garibardi” deri te semaforët pranë rrugës ”Dritan Hoxha”.