Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas takimit me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel ka bërë me dije se në fokus ka qenë rrugëtimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe përmbushja e reformave.
Rama ka bërë me dije se është folur për procesin në vigjilje të Këshillit Europian kur dihet se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në agjendë për hapjen e bisedimeve.
“Përtej vështirësive të procesit, aspekteve të mirënjohura të formalizimit të hapave të mëtejshëm për t’u hedhur, jemi në një nivel krejt tjetër të bashkëjetesës në suazën politike evropiane si rezultat edhe i një vullneti gjithnjë e më të shprehur nga ana e BE-së, e autoriteteve në Bruksel për ta afruar më shumë Ballkanin Perëndimor drejt BE-së”, ka thënë Rama në fjalën e tij sa i përket rrugëtimin evropian në konferencen e përbashkët me Michel.
I pari i qeverisë shqiptare dhe zyrtari i BE-së po ashtu kanë folur për situatën e përgjithshme, angazhimin dhe sfidat në raportin me luftën në Ukrainë.
Ndër të tjera, kanë diskutuar edhe për nismën rajonale e kurorëzuar “Ballkani i Hapur” dhe ecuria marrëdhënieve mes vendeve. Po ashtu, edhe sfidat e brendshme të rajonit.
Ndërsa, sa i përket reformës në drejtësi, Rama ka potencuar se qeveria e tij ka goditur së fundi krimin e organizuar në bashkëpunim të thellë me Prokurorinë e Posaçme.
“Të gjithë e ndoqëm dje operacionin shumë domethënës për të goditur një rrjet kriminal. Kështu i dhamë goditjen më të rëndësishme krimit të organizuar që ka vite që vazhdon kjo luftë”, u shpreh Rama.
Rama e quajti këtë operacion një “shembull kuptimplotë të vënies së tyre përpara drejtësisë.
Nga ana tjetër, kreu i qeverisë ka shprehur mirënjohjen për BE-në në ndihmën e saj pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019-të dhe në periudhën e pandemisë COVID-19.