Ka përfunduar seanca e sotme plenare në Kuvendin e Kosovës, ku pyetjet parlamentare ishin pika e vetme e rendit të ditës.
Pavarësisht se nga kabineti qeveritar në fillim të seancës bënë të ditur se nuk do t’u përgjigjen pyetjeve parlamentare të bëra nga deputetët opozitarë që nuk po votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, sërish pati polemika në mes të ekzekutivit dhe opozitarëve.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, e quajti autokrate qeverinë Kurti derisa e akuzoi se po shkel Kushtetutën me mospërgjigjet ndaj pyetjeve parlamentare.
Megjithatë, atij iu përgjigj ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila tha se gjuha e përdorur nga deputeti Lushtaku është nën nivelin e legjislativit, derisa kërkoi nga ai dhe deputetët e tjerë opozitarë të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.
Ndërsa, në anën tjetër, ministrat në Qeverinë e Kosovës iu përgjigjen pyetjeve parlamentare që vinin kryesisht nga deputetët e mazhorancës.