Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk mund të esktradojë liderin e grupit terrorist serb, Millan Radojçiq në Kosovë sepse nuk e njohin Kosovën si shtet.
Presidenti serb këtë e ka thënë në një intervistë për SkyNews.
“Po talleni me mua, apo çfarë? Nuk mund ta ekstradoj Milan Radoiçiqin në Prishtinë, sepse ne nuk e njohim Kosovën”, ka thënë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Në këtë intervistë, Vuçiq u pyet për përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, ai u përgjigj duke thënë se është gjithmonë më e lehtë të akuzosh Beogradin.
“Kush do të besojë se në fakt është ndryshe? Pothuajse askush”, ka thënë tutje ai.
Kujtojmë që të dielën e 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup terrorist serb, i cili udhëhiqej nga Millan Radojçiq.
Nga ky sulm mbet i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku nga Samadrexha e Vushtrrisë i cili tashmë është shpallur hero, i plagosur ka mbetur zyrtari policor Alban Rashiti dhe disa të tjerë të lënduar.
Ndërsa nga aksioni i Policisë së Kosovës mbetën të vrarë tre pjesëtarë të këtij grupi terrorist serb.