Kryetarja e Partisë së Lëvizjes Evropiane të Serbëve si dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq ka folur rreth zhvillimeve të fundit në veri të vendit.
Ajo në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se Millan Radoiçiqin po e mbron shteti serb, duke shtuar se ditën që ndodhi sulmi në Banjskë më 24 shtator, ka menduar që Serbia do të distancohet nga kjo.
“Ditën e parë kam menduar disi që shteti do të distancohet, që do të hyhet në ndonjë lloj procesi, por tash është krejtësisht e qartë që po e mbron, si dhe që ai person, me gjasat më të mëdha, kreu i shtetit varet nga ai, është në një lloj varësie prej tij, do ta quaja unë, për shkak asaj që ai di, me fjalë të tjera frikësohen se ai do të flasë. Unë do të thosha që tani, kapaciteti shantazhues i tij mund të jetë tejet i madh, pra gati që nuk ekziston një person që nuk ndjehet i pasigurt kur bëhet fjalë për persona të tillë që gjenden në liri, po flas për Serbinë” – tha politikania serbe Trajkoviq në Kallxo Përnime.
Ajo ka shtuar se është brengosëse nëse Radoiçiqi ka hyrë (në Banjskë) me dijeninë e Presidentit të shtetit, Ministrisë së Mbrojtjes, Drejtësisë, Policisë, BIA-s.
“Nëse ato institucione nuk kanë pasur dijeni, atëherë është problemi se si ka mundur ai të ndërmarrë një aksion të tillë pa dijeninë e tyre, që prapë na sjell tek pika që mafia është më e fuqishme se shteti, që prapë, për një shtet që aspiron drejt Bashkimit Evropian, është problem tejet i madh” – tha Trajkoviq.
Ndryshe më 24 shtator 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.
Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.
Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.
Sekuestrimi i armëve të tjera po vazhdon që nga 24 shtatori, të cilat janë braktisur nga grupi terrorist në Banjskë dhe në zonën përreth.
Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.
Është ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.
Radoiçiq tha se të gjithë skenarin e kishte bërë vet dhe askujt nuk i kishte treguar. Këto pretendime i njëjti i bëri përmes një letre të cilën e lexoi të premten pasdite avokati i tij i autorizuar, Goran Petronijeviq.
Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët./Kallxo.com