Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se dy javë pas sulmit terrorist në Banjska, po vijojnë me zbardhjen e fakteve që vërtetojnë lidhjen direkte të Serbisë në organizimin dhe realizimin e këtij sulmi.
Në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur sulmi, njësitet policore kanë gjetur dokumentin personal dhe veturën e Milorad Jevtic gjë që dëshmon se ai ka qenë në njësitin që kanë sulmuar Policinë e Kosovës.
“Terroristi Milorad Jevtic njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danilo Vuciq, djalit të presidentit serb Aleksandar Vuciq. Nga 5 vizitat e fundit të djalit të Vuciqit në Kosovë, 4 herë ata kanë qenë bashkë në të njejtën veturë. Milorad Jevtiq është identifikuar edhe si njëri ndër sulmuesit e ushtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan”, shkroi ministri në Facebook.
Ai thotë se mbetet që organet e sigurisë dhe hetimet të zbulojnë se “përveç Vuçiqit dhe strukturave të larta shtetërore serbe, a ka qenë edhe djali i tij në planifikimin dhe organizimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit”.
Ndryshe, ai kishte shoqëruar djalin e presidentit serb në manifestimin e “Vidovdanit”, në Graçanicë, ku ky i fundit raportohej se kishte hyrë si qytetar i rëndomtë në Kosovë.