Vuçiq mohon përfshirjen e djalit të tij në sulmin në Banjskë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mohoi se djali i tij, Danillo, është përfshirë në sulmin e 24 shtatorit në veri

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mohoi se djali i tij, Danillo, është përfshirë në sulmin në Banjskë kundër policisë së Kosovës më 24 shtator.

Reagimi i Vuçiqit vjen pasi ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se në sulmin në Banjskë mori pjesë Millorad Jevtiq, që sipas tij, “njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danillo Vuçiq, djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq”.

“Mbetet që organet e sigurisë dhe hetimet të zbulojnë se përveç Vuçiqit dhe strukturave të larta shtetërore serbe, a ka qenë edhe djali i tij [i përfshirë] në planifikimin dhe organizimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit”, shkroi Sveçla në Facebook.

Vuçiq përmes një reagimi në llogarinë e tij në Instagram tha se djali i tij “nuk ka lidhje” me sulmin në Banjskë, “përveç se ai e do Serbinë dhe ‘Kosovën e Metohinë’ si pjesë të saj, në linjë me Kartën e Kombeve të Bashkuara”.

“Karakteristika e parë e një frikacaku është kur dikush sulmon familjen e tjetrit, fëmijët e tij, sepse ata gjithmonë janë shënjestra më e lehtë”, shkroi Vuçiq, duke iu drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pavarësisht se ky i fundit nuk ka komentuar lidhur me deklaratat e bëra nga ministri Sveçla për djalin e presidentit serb.

Sveçla tha se pas sulmit në Banjskë autoritetet gjetën një dokument personal të Jevtiqit, i cili sipas tij, “nga pesë vizitat e fundit të djalit të Vuçiqit në Kosovë, katër herë ata kanë qenë bashkë në të njëjtën veturë”.

Më 24 shtator, një grup i armatosur sulmoi një njësi patrulluese të policisë së Kosovës në një rrugë në fshatin Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Më pas, grupi i sulmuesve u strehua në manastirin në Banjskë, prej ku vazhdoi përleshjet me zyrtarët policorë.

Gjatë përleshjeve, sipas autoriteteve kosovare, janë vrarë tre sulmues.
Kosova ka fajësuar për këtë sulm – që e cilëson terrorist – Serbinë, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.

Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka pranuar se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë.

Kosova ka publikuar dëshmi për përfshirjen e Radoiçiqit në ngjarjet në veri, përfshirë edhe pamje të incizuara me dron ku ai shihet i veshur me uniformë dhe i armatosur në manastirin e Banjskës më 24 shtator.

Pas sulmit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë e cila kërkon një hetim ndërkombëtar për të përcaktuar rolin e Serbisë në sulmin në Banjskë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin, teksa u kanë bërë thirrje palëve që të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Brukseli.

Në BE po ashtu disa shtete kanë kërkuar që Serbia të ndëshkohet nëse vërtetohet se ka qenë e përfshirë në sulm. Blloku evropian ka deklaruar se po pret përfundimin e hetimeve dhe më pas do të vendosë se çfarë hapash do të ndërmarrë./REL

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika