Mbi 1 mijë persona janë vrarë në Izrael dhe Rripin e Gazës, pasi militantët palestinezë të Hamasit, kryen një sulm të befasishëm ndaj Izraelit më 7 tetor, që nxiti kundërpërgjigje nga forcat izraelite.
Autoritetet në Izrael kanë thënë se të paktën 600 persona janë vrarë gjatë dhunës, ndërkaq numri i viktimave në Rripin e Gazës ka arritur në 413.
Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, në mesin e viktimave janë 78 fëmijë dhe 2.300 persona janë plagosur.
Këto shifra vijnë teksa për të dytën ditë me radhë, forcat izraelite dhe militantët e Hamasit kanë vazhduar përleshjet në jug të Izraelit.
Më herët gjatë ditës, kabineti i sigurisë së Izraelit shpalli gjendje lufte. Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ky vendim u mor për shkak se shteti u përball “me sulme terroriste nga Gaza”.
“Lufta iu imponua shtetit të Izraelit nga sulmet vrastare terroriste që nisën nga Rripi i Gazës në orën 06:00 të ditës së djeshme”, u tha në njoftim.
Aty nuk u dhanë më shumë detaje, por Netanyahu më herët kishte deklaruar se shteti i tij është në luftë dhe ushtria premtoi se do të kundërpërgjigjej ashpër në Gaza.
Ndërkaq, agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë tha se 74.000 persona në Rripin e Gazës janë strehuar në disa shkolla, pasi Izraeli u bëri thirrje banorëve që jetojnë rreth Gazës që brenda 24 orëve të evakuohen.
Kjo agjenci po ashtu konfirmoi se një prej shkollave që ajo drejton në këtë zonë ishte cak i një sulmi të dielën, por tha se përveç dëmeve materiale nuk ka pasur viktima si pasojë e sulmit.
Grupi palestinez Hamas nisi një sulm të befasishëm ndaj Izraelit më 7 tetor, gjatë të cilit u vranë afër 500 persona.
Kjo ishte dita më vdekjeprurëse e dhunës në Izrael në 50 vjet.
Konflikti u përhap, pasi pati sulm nga Libani në veri të Izraelit, përgjegjësinë për të cilin e mori grupi Hezbollah, duke thënë se sulmi u krye “në solidaritet” me popullin palestinez.
Izraeli u kundërpërgjigj me sulme të artilerisë në Liban dhe përmes një sulmi me dron ndaj një pike të kontrollit të Hezbillahut pranë kufirit, tha ushtria. Nuk ka raportime për viktima nga këto sulme.
Inkursioni nga Gaza në jug të Izraelit – që është më i madhi në dekada – mund të minojë përpjekjet që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara për bashkimin e rajonit sa i përket sigurisë dhe mund të kërcënojë aspiratat palestineze për shtetësi dhe ambiciet e mbështetësit kryesor të Hamasit, Iranit.
Luftëtarët e Hamasit nisën sulmin e tyre mëngjesin e 7 tetorit duke goditur me breshëri raketash jugun e Izraelit. Sulmet me raketa iu mundësuan luftëtarëve të grupit të infiltrohen në Izrael nga Gaza – një rrip toke që është shtëpi e 2.3 milionë palestinezëve.
“Ne do të hakmerremi për këtë ditë”, tha të shtunën kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Ai po ashtu ka paralajmëruar se i pret një “luftë e gjatë dhe e vështirë” kundër Hamasit./REL