Shqipëri: Korridor i ri tranziti energjie drejt Ballkanit dhe Evropës

Lufta në Ukrainë bëri të qartë emergjencën e pavarësimit të Europës nga gazi rus. Shqipëria synon të kthehet në të ardhmen në një vend tranzit të kalimit të gazit në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë

Gazsjellësi TAP

Lufta në Ukrainë bëri të qartë emergjencën e pavarësimit të Evropës nga gazi rus. Shqipëria synon të kthehet në të ardhmen në një vend tranzit të kalimit të gazit në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.

Agresioni rus ndaj Ukrainës, sanksionet ndërkombëtare ndaj Rusisë dhe emergjenca e pavarësimit të Evropës nga gazi rus po i bëjnë prioritare edhe në Shqipëri projektet në fushën e energjisë.

Në këtë kontekst, do të mund të realizohet edhe projekti strategjik për shndërrimin e Shqipërisë në një vend tranzit të kalimit të gazit në Ballkanin Perëndimor (BP) dhe në Evropë, dhe, gjithashtu, edhe për diversifikimin e tregut të gazit në rajon.

Kompania Overgaz, lider në Bullgari në sektorin e gazit, së cilës kompania amerikane Linden Energy i bleu vitin e kaluar 50 për qind të aksioneve, nënshkroi në Tiranë të hënën, një Memorandum Mirëkuptimi me kompaninë shtetërore shqiptare Albgas.

Memorandumi ka të bëjë me bashkëpunimin dypalësh për realizimin e projekteve që diversifikojnë furnizimin me gaz natyror në BP dhe në Evropë, përfshirë edhe furnizimin e kompanisë Overgas me Gaz të Lëngët, (LNG) në portin e Vlorës.

Burime zyrtare thanë për DeutscheWelle që ky bashkëpunim ka mbështetje të fuqishme nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Qeveria e Shqipërisë. Në ceremoninë e nënshkrimit ishte i pranishëm ish-sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeu, aktualisht kryetar i Bordit Këshillues të Linden Energy, si dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, transmeton PortaliD.

Një korridor i ri energjie drejt BP dhe Evropës

Bashkëpunimi mes kompanisë amerikano-bullgare Overgas dhe kompanisë shtetërore Albgas do të fokusohet në realizimin e një korridori të ri të kalimit të LNG nga porti i Vlorës drejt BP dhe Europës.

Projekti që do të realizohet për këtë qëllim, parashikon ndërtimin në gjirin e Vlorës të një terminali të ri lundrues për importin e LNG, magazinimin dhe rigazifikimin e tij, i cili do të mundësojë furnizimin me gaz të TEC-it ekzistues në Vlorë.

Nëpërmjet një tubacioni të ri, Vlorë-Fier që do të ndërtohet, do të bëhet i mundur transporti i sasive të gazit drejt gazsjellësit Trans-Adriatik, (Trans-Adriatik Pipeline, TAP), që ka një rol kyꞔ në sigurinë energjitike të BE dhe pavarësimin e tij nga gazi rus.

I shtrirë në 878 km, TAP fillon në kufirin mes Turqisë dhe Greqisë, përshkon Greqinë e Verit, kalon në Shqipëri dhe përmes detit Adriatik hyn në jug të Italisë, ku lidhet me rrjetin italian të gazit.

Që nga nëntori 2020 kur TAP nisi të funksionojë, TAP transporton 10 miliardë metra kub gaz ton në vit nga Azerbazhani drejt Europës.

Kompania amerikano-bullgare Overgas do të furnizohet me LNG prej terminalit lundrues në Gjirin e Vlorës dhe përmes tubacionit Vlorë-Fier dhe TAP do ta transportojë atë në Ballkanin Perëndimor, duke reduktuar kështu varësinë e rajonit nga gazi rus.

Arbër Avrami

Potenciali i Shqipërisë

Burime zyrtare nga Overgas pohojnë që furnizimi me gaz i kësaj kompanie përmes këtij korridori të ri do të shkojë, përveꞔ BP, edhe në Ukrainë dhe në Moldavi.

Arbër Avrami, Drejtori Ekzekutiv i Albgas, thotë për DW, se terminali i ri për portin e lundrueshëm të LNG në Vlorë do të ndërtohet nga kompanitë amerikane ExxonMobil dhe Excelerate Energy, lidere në tregun global të LNG.

“Ky terminal do të lidhet edhe me Termocentralin e Vlorës (TEC) që do të transformohet nga kompania amerikane Excelerate Energy nga funksionimi me naftë në atë me gaz. Porti lundrues, terminali i ri i LNG dhe vënia në punë me gaz e Termocentralit të Vlorës, (TEC) do të krijojnë një ansambël me rëndësi për potencialin e Shqipërisë për t’u shndërruar në një hub rajonal të shpërndarjes së LNG, sigurinë  energjitike në BP dhe vetë vendit me vlera të shumëfishta përballë krizave afatshkurtra dhe sfidave afatgjata,” thotë për DW, Avrami.

Vënia në funksionim me gaz e TEC-it të Vlorës merr një vlerë të posaꞔme në kushtet kur që nga ndërtimi i tij, 20 vjet më parë, me një kredi prej 129 milionë dollarë nga Banka Botërore dhe Banka për Rindërtim dhe Zhvillim, nuk ka prodhuar energji elektike për shkak të një defekti teknik.

Shkëlqim Bozgo, ekspert i njohur në fushën e energjisë, thotë për DW, se “rrethanat e krijuara nga lufta në Ukrainë, pozicioni gjeografik i Shqipërisë dhe fakti që TAP është tanimë funksional, i mundësojnë Shqipërisë të shndërrohet në një pikë tranzitimi të flukseve të gazit natyror nëpërmjet ndërtimit të terminalit të gazit të lëngshëm në Vlorë dhe lidhjes së tij me gazsjellësin TAP.”

“Shqipëria është tanimë një vend tranzitimi i gazit natyror nëpërmjet gazsjellësit TAP. Ndërtimi i impiantit të gazit të lëngshëm në Vlorë do të kontribuojë në rritjen e sasive që mundet të tranzitohet përmes Shqipërisë, në vënien në punë të TEC-it Vlorë, ndërtimin e TEC-eve të reja me gaz dhe zhvillimin e sektorit të gazit në Shqipëri”, thekson Shkëlqim Bozgo për DW.

Ai thotë se në portin lundrues të LNG në Vlorë “gazi mund të vijë nga të gjithë prodhuesit e tij në botë, por gjasat më të mëdha janë të vijë nga SHBA, Algjeria dhe Katarri.”

Eksperti Shkëlqim Bozgo

Gazsjellësi Ioniano-Adriatik dhe pavarësimi nga gazi rus

Terminalin e LNG dhe funksionimin me gaz të TEC-it në Vlorë, autoritetet shqiptare e vlerësojnë si një pjesë integrale të një projekti tjetër rajonal: ndërtimin e gazsjellësit Joniano-Adriatik (Ionian-Adriatik Pipeline, IAP), që është konceptuar të shtrihet 520 km, kryesisht përgjatë bregut të detit Adriatik.

IAP synon të ndërlidhë TAP me infrastrukurën ekzistuese të gazit në Kroaci, me mundësinë e ndërtimit të tubacioneve lidhëse edhe me Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, duke bërë të mundur që furnizimet me gaz nga rajoni i Kaspikut dhe i Lindjes së Mesme të arrijnë në tregun kroat të gazit si dhe të kontribuojnë në gazifikimin e Shqipërisë dhe të Malit të Zi.

Sipas projektit, IAP do të fillojë në Shqipëri në pikën dalëse të TAP-it në Seman, Fier, për të vazhduar drejt Malit të Zi, më pas në Bosnjë-Hercegovinë dhe përfunduar në Split, Kroaci, ku do të lidhet me sistemin kroat të gazit.

“IAP hap kësisoj një korridor tjetër të ri gazi për rajonin, që parasheh një mekanizëm në drejtim të dy kahshëm, hyrje-dalje, të flukseve të gazit dhe përfshin edhe terminalin e LNG në gjirin e Vlorës.

Zhvillimet e fundit në arenën gjeopolitike botërore po prodhojnë pasoja edhe në rrafshin e sigurisë energjitike. Ato kanë kanalizuar në të njëjtën kohë më shumë se kurrë vullnet dhe energji drejt materializimit të projekteve të tilla si IAP, që kontribuojnë për pavarësimin e Europës nga gazit rus,” thotë për DW, Arbër Avrami.

Sipas ekspertit të energjisë Shkëlqim Bozgo “Rrethanat favorizojnë që IAP të konsiderojë rritjen e kapacitetit nga 5 miliardë metra kub gaz në vit, që ishte parashikuar fillimisht, deri në 10 miliardë. Nëpërmjet tij mund të furnizohen, jo vetëm vendet e BP, por edhe tregu i gazit të Europës Qëndrore që tashmë kërkon të zëvendësojë gazin rus me gaz nga burime të tjera. Në terma afatgjatë, ai mundet lehtësisht të konvertohet në transmetues të sasive të hidrogjenit që mund të prodhohet prej energjive të rinovueshme, të bollshme në rajonin e BP.”

Situata gjeopolitike pas agresionit rus ndaj Ukrainës po rrit interesin për të filluar ndërtimin e IAP, të penguar deri tani nga pandemia COVID-19 dhe vështirësi në kombinimin e operatorëve të sistemeve të transportit të gazit në 4 vende nga ku IAP do të kalojë.

Gazifikimi i Shqipërisë

TAP i siguron Shqipërisë infrastrukturën per t’u furnizuar me gaz natyror nga burimet e gazit të Kaspikut, Greqisë, Italisë dhe gjithë tregjeve të tjera të gazit të lidhura përmes këtij gazsjellësi. Duket paradoksale që në këto kushte, Shqipëria nuk merr dot gaz nga TAP për nevojat e ekonomisë dhe të qytetarëve, sepse mungon tërësisht infrastruktra e tubacioneve, që sipas ekspertëve, ka kosto të lartë: një milionë euro për një km tubacion.

“Në kushtet e mungesës së infrastruktures së tubacioneve, gazi i lëngshëm nga terminali në Vlorë ofron një mundësi reale për furnizimin me gaz të lëngshëm në sasi te vogla, me anë të autoboteve të posaꞔëm për këtë qëllim, për një periudhë fillestare.

Kompania shtetërore Albgaz që është Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) të gazit në Shqipëri po bashkëpunon me kompani ndërkombëtare për zhvillimin e infrastruktures së gazit, përfshirë edhe gazin e lëngshëm.

Ndërkohë, TAP ka filluar në Seman, Fier, ndërtimin e pikës së lidhjes me sistemin e ardhshëm të gazit në Shqipëri, nga ku mund të merret ose të futet gaz në sistemin e gazsjellësit TAP”, thotë për DW, Shkëlqim Bozgo.

Ai vë në dukje një mundësi tjetër për furnizimin me gaz të Shqipërisë: zbulimin e naftës dhe gazit, në zonën e Shpiragut, Berat. “Kompania SHELL ka gjetur naftë dhe gaz në zonën e Shpiragut në një strukturë nëntokësore të thellë në nivelin e 5 mijë metrave, që është aktualisht në procesin e vlerësimit. Duke qenë Shpiragu afër vendkalimit të TAP, ka një avantazh real për tregtimin e këtij gazi në Shqipëri, tregjet e BP dhe në ato të Europës”, thotë për DW, Shkëlqim Bozgo.

Stacioni i TAP në Kipoi, Greqi

Shqipëria – eksportuese potenciale e energjisë në vitin 2030

Shqipëria vazhdon prej dekadash të jetë importuese e energjisë. Sipas raportit të fundit të Entit Rregullator të Energjisë, Shqipëria plotëson, mesatarisht, rreth 70 për qind të nevojave të saj vjetore me energji elektrike, ndërkohë që prodhimi vendas në konsumin total të energjisë (energji elektrike dhe karburante të tjera) arrin të mbulojë, mesatarisht, 80 për qind të kërkesës vendase, kurse 20 për qind importohet.

“Për zhvillimin e një vendi nuk është më i rëndësishëm eksporti i energjisë sesa sigurimi i burimeve të furnizimit me energji për mbulimin e nevojave të veta. Rritja ekonomike dhe zhvillimi i një vendi janë në përpjestim të drejtë me konsumin e energjisë. Shqipëria duhet të rrisë gjenerimin e energjisë nga burime të reja, sidomos nga ato të rinovueshme dhe të përdorë me efikasitet energjinë, ” thotë për DW, Shkëlqim Bozgo.

Qeveria e Shqipërisë synon që deri në vitin 2030 vendi të kthehet në një eksportues neto të energjisë. Shpresat janë te nafta dhe gazi i zbuluar nga kompania SHELL në Shpirag, Berat dhe “ndërtimi i  hidrocentralit të Skavicës mbi lumin Drin me kapacitet 210 megavat, parqet fotovoltaike dhe energjia eolike, kjo e fundit edhe në det” thotë për DW, Arbër Avrami.

Ekspertët llogarisin që ndërtimi i impiantit të gazit në Vlorë do të kërkojë 4 vjet, kurse ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës 6 vjet. “Projekti i shndërrimit të Shqipërisë në një vend eksportues të energjisë do të ketë teknologjinë dhe ekspertizën më në zë. Ky projekt që ka vëmendjen dhe garancinë politike të SHBA, partnerit strategjik të Shqipërisë, kontribuon në sigurinë energjitike të BP dhe prioritizimit të ndërlidhshmërisë rajonale”, thekson për DW, Arbër Avrami.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika