Me dënim maksimal është dënuar Xhafer Bardhi, për vrasjen e dyfishtë të ndodhur në një pyllin e fshatit Gradicë të Drenasit.
Ai është shpallur fajtor nga trupi gjykues këtë të hënë, për vrasjen e babait dhe birit të tij 15 vjeçar, në vitin 2021.
Shpallja e aktgjykimit, për dënimin e shqiptuar me dënim të përjetshëm ndaj Bardhit, u mirëprit me duartrokitje nga të pranishmit në sallë.
Megjithatë në mënyrë të kundërt është pritur lirimi, i djalit të Xhafer Bardhit, i cili u lirua nga akuzat në mungesë provash.
Familjarët e viktimave, të zhgënjyer me vendimin e gjykatës për lirimin e njërit nga të akuzuarve, filluan të bërtasin në gjykatore, për të vazhduar edhe jashtë Gjykatës.
Situata ishte jashtë kontrollit për disa momente, derisa zyrtarët policor mundoheshin që të qetësonin, familjarët, të cilët thanë se edhe djali i të dënuarit është fajtor për këtë çështje.
Derisa paralajmëruan edhe ankesë në Gjykatën e Apelit.
“Për djalë nuk është në rregull asgjë sepse e ka bërë e ka quar punën deri në fund, e ka quar Xhaferin edhe djali e ka pas…edhe djalin e ka vra edhe djalin e jo Xhaferi…ne kemi me e lut gjykatën që mos me e lan djalin, sepse bëhet çdo ditë e më keq”, thotë një familjar.
“Në mal të shtetit u vra sabia unë i lutna krejt botës, shyqyr u lëshu, edhe ski zgjidhje tjetër, ja kemi lënë gjykatës me drejtësi, e na tash e vazhdojmë”, thotë një familjare.
Sipas prokurorisë në Prishtinë deri tek vrasja kishte ardhur si shkak i një mosmarrëveshje pronësore rreth së drejtës së shfrytëzimit të malit, dhe se me dashje të pandehurit Bardhi në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta të miturin- tani të ndjerin A.M 15-vjeçar dhe prindin e tij B.M.