Universiteti i Prishtinës ka nënshkruar sot marrëveshje me Universitetin e Lubjanës, përmes të cilës për herë të parë në Kosovë do të fillojnë studimet e doktoratës me modalitetin e diplomës së dyfishtë.
Sipas njoftimit, ky program, i cili do t’u sigurojë studentëve një diplomë të njohur ndërkombëtarisht, është një mundësi e jashtëzakonshme për të gjithë studentët që duan të avancojnë në fushën e edukimit nga Kosova, Shqipëria dhe më gjerë.
“Fakulteti i Edukimit në UP ka filluar këtë bashkëpunim në kuadër të projekteve tona të përbashkëta në fushën e zhvillimit të përgatitjes të mësimdhënësve të rinj dhe kjo marrëveshje si e tillë synon ta avancojë këtë bashkëpunim në fushën e kërkimit shkencor dhe gjithashtu me qëllim që bashkëpunimi i tillë që të shtrihet edhe në fushata të tjera studimore, kërkimore dhe inovative”, tha rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes.
Marrëveshja është nënshkruar nga rektori i UP-së, Qerim Qerimi, dhe rektori i Universitetit të Lubjanës, Gregor Majdiç, si dhe nga dekani i Fakultetit të Edukimit në UP, Blerim Saqipi dhe dekani i Edukimit në Lubjanë, Janez Vogrinc.
“Marrëveshja e sotme do të pasohet nga hapja e konkursit për studentë të rinj këtë vit akademik dhe programi do të zbatohet në gjuhën angleze dhe do të përfshijë marrëveshje bashkëmentorimi me Universitetin e Lubjanës. Programi për studimet e doktoraturës në fushën e edukimit është akredituar nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës më 13 korrik 2023″, thuhet në njoftimin zyrtar të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.