Grupi militant palestinez, Hamas, që ka zënë afër 150 pengje gjatë sulmit të befasishëm ndaj Izraelit më 7 tetor, kërcënoi të hënën se do t’i vrasë ata nëse Izraeli vazhdon të kryejë sulme ajrore në Gaza, pa paralajmëruar banorët që të largohen nga caqet.
Ky kërcënim nga Hamasi vjen pasi Izraeli vendosi rrethim të plotë në Rripin e Gazës, duke ndërprerë furnizimet, gjë që shtyri Kombet e Bashkuara të paralajmërojnë se situata humanitare do të përkeqësohet.
Që nga 7 tetori, kur Hamasi nisi sulmet ndaj Izraelit, ky i fundit ka vazhduar të godasë caqe në Gaza në shenjë hakmarrjeje.
Si pasojë e sulmeve nga toka, ajri dhe deti, Izraeli tha se numri i të vrarëve është rritur në 800 persona. Rritje e numrit të viktimave të hënën u raportua edhe nga autoritetet shëndetësore në Gaza, ku, sipas shifrave të fundit janë vrarë 680 persona.
Hamasi pretendoi më 9 tetor se nga sulmet ajrore izraelite janë vrarë katër nga pengjet. Më vonë, grupi militant tha se nëse sulmet nuk ndalen, do t’i vrasin vetë pengjet.
“Çdo shënjestrim i njerëzve tanë pa paralajmërim do të pasohet me ekzekutimin e një robi civil”, tha përmes një deklarate Brigada, Al-Kasam, që është krahu i armatosur i Hamasit.
Më herët gjatë të hënës, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kërcënoi Hamasin, duke thënë se ajo se çfarë do të përjetojë ky grup do të jetë “e vështirë dhe e tmerrshme… Ne do ta ndryshojmë Lindjen e Mesme. Ky është vetëm fillimi. Ne do t’i mposhtim ata me forcë, me forcë të jashtëzakonshme”.
Izraeli ka thirrur 300.000 rezervistë të ushtrisë për t’iu bashkuar luftës kundër Hamasit. Izraeli ka konfirmuar se afër 1.000 militantë të Hamasit janë infiltruar në territorin e tij.
Hamasi, që kontrollon Gazën që nga viti 2007, njihet si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe fuqi të tjera perëndimore. /REL