Qeveria e Kosovës ka aprovuar në parim kërkesën e Telekomit për huamarrje prej 15 milionë eurosh për projekte investive në këtë ndërmarrje.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, në mbledhjen e qeverisë, sot ka thënë se ministria ka shqyrtuar kërkesën e Telekomit e cila fillimisht ka qenë 20 milionë euro.
“Kjo kredi do të shërbejë për investime në pajisje dhe sisteme telekomunikuese dhe përmirësimin e shërbimeve nga Telekomi”, ka thënë ai duke shtuar se Telekomi ka pasur nevojë për këtë kredi shtesë.
Qeveria në mbledhjen e së enjtes ka shtyrë disa projektligje të cilat ishin të planifikuara për këtë vit për shkak të numrit të madh të tyre.
Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për bashkëpunim ndërkomunal, ai për planifikim hapësinor, për harmonizim të ligjeve të veçanta me Ligjin për inspektimet dhe ai për harmonizimin e ligjeve të veçanta me Ligjin për leje dhe licenca, janë projektligjet që u shtynë për vitin e ardhshëm.
Në mbledhje janë miratuar edhe propozim-vendimi për aprovimin e ndarjes buxhetore për subvencionim të ndërtimit të shtëpive për komunitetet joshumicë; kërkesa e MMPHI-së për ndarjen e mjeteve buxhetore shtesë për projektin “sanimi i rrëshqitjes në rrugën nacionale N22.3, segmenti Mitrovicë-Jarinje; kërkesën e MF-së për Lirim Zero nga Tatimi Doganor; atë për Normën e Tatimit të Akcizës.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë ka thënë se për këtë projekt do të ndahen 300 mijë euro.