Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka konfirmuar se LVV-ja nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit, në të cilën pritet të diskutohet për propozim-rezolutën për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.
Shefja e këtij grupi parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se qëllimi i PDK-së, parti e cila e ka thirrur këtë seancë, por edhe i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti këto që nuk po votojnë asnjë marrëveshje apo projektligj në Kuvend, nuk ka të bëjë me gjendjen e Policisë.
“Që nga java e kaluar Grupi Parlamentar i PDK-së ka tentuar që ta ndryshojë rendin e ditës në seancë për të futur një pikë që ka të bëjë me një rezolutë për kushtet për Policinë e Kosovës. Ne vlerësojmë se qëllimi i PDK-së dhe AAK-së që nuk votojnë asgjë në Kuvendin e Kosovës, pra marrëveshjet ndërkombëtare dhe ligje me rëndësi jetike për qytetarët, nuk ka të bëjë me gjendjen e Policisë së Kosovës, por vetëm me argumentimin e tyre se Qeveria nuk është e angazhuar sa duhet. Synimi i tyre është pushteti dhe jo interesi i shtetit”, është shprehur Kusari-Lila në një konferencë për media.
Seanca ka filluar në orën 11:00.