Në një ceremoni të ngrohtë dhe miqësore, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama i ka dhuruar “Çelësin e Qytetit”, ambasadorit të Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Qemal Minxhozi, i cili ka kryer misionin e tij si diplomat.
Takimi lamtumirës u mbajt me rastin e përfundimit të detyrës së tij
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në një takim të veçantë të organizuar për këtë rast, e falënderoi ambasadorin Minxhozi për shërbimin e jashtëzakonshëm dhe angazhimin e tij në forcimin e lidhjeve midis dy vendeve.
Ky takim sipas Ramës ishte një mundësi për të shprehur mirënjohjen dhe respektin ndaj ambasadorit shqiptar, i cili ka luajtur një rol kyç në promovimin e bashkëpunimit dhe miqësisë mes Kosovës dhe Shqipërisë.
I pari i Prishtinës, Rama e ka falënderuar “për shërbimin e jashtëzkanoshëm dhe i thash se do të mbetet gjithmonë ura jonë lidhëse me Shqipërinë. Në përfundim të misionit i dhurova ‘Çelësin e Qytetit’ për angazhimin dhe ndihmën e pakursyer për shtetin tone”.
Ndërsa Ambasadori Minxhozi është shprehur falënderues për mikpritjen e bashkëpunimin që kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka patur gjithmonë me të gjitha qytetet shqiptare.
“Jam vërtetë i lumtur që pata mundësinë që përgjatë këtyre viteve që kam shërbyer në Kosovë të bashkëpunoja me një njeri me shumë vlera i cili ka kontribuar në thellimin e bashkëpunimit mes vendeve tona”, ka deklaruar ambasadori Minxhozi.
Ndryshe, Qemal Minxhozi, ka shërbyer si Ambasador i Shqipërisë në Republikën e Kosovës për 10 vjet.