Thirrjes së SBASHK-ut për të mos mbajtur mësim dhe mësimdhënësit t’i bashkohen protestës iu përgjigjën shumica e institucioneve arsimore. Njohësi i arsimit, Argjend Osmani, ka thënë se mbështet mësimdhënësit, dhe ka ftuar Qeverinë e Kosovës të reflektojë dhe të parandalojë grevën e përgjithshme.
Osmani ka deklaruar se ekzekutivi duhet të marrë parasysh kërkesat e mësimdhënësve, pasi janë një kategori që janë shumë meritorë për edukimin e gjeneratave të ardhshme, raporton “Telegrafi”.
“Qeveria duhet të jetë më e arsyeshme, duhet të marrë parasysh kërkesat e mësimdhënësve. Nuk mund t’i mbyllim sytë dhe veshët për kërkesat e vazhdueshme të tyre që unë i vlerësoj të arsyeshme. Duhet të merret seriozisht parasysh ky proces dhe të shikohen mundësitë për përmbushjen e atyre kërkesave gjithmonë nën kornizën e mundësive që ofron buxheti i Qeverisë së Kosovës. Mirëpo, unë jam plotësisht me mësimdhënësit”, ka thënë Osmani.
Osmani ka theksuar se me përmirësimin e kushteve për mësimdhënësit do të ketë një përfitim afatgjatë të vet sistemit arsimor.
“Nxënësit humbin me aspekt afatshkurtër por sistemi i arsimit nëse plotësohen këto kërkesa dhe arrihet një marrëveshje me të dyja palët do të fitojnë në aspekt afatgjatë, do të këtë përmirësim të kushteve në sistemin e arsimit ku njëri prej faktorëve më të rëndësishëm është edhe motivimi i mësimdhënësve. Andaj, unë jam kritikues shumë i madh i Qeverisë që nuk ka bërë mjaftueshëm për të plotësuar këto kërkesa dhe për një kohë të gjatë i kanë neglizhuar ato”, ka shtuar Osmani.
Njohësi i arsimit tutje kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të reflektojë dhe të parandalojë grevën e përgjithshme që u paralajmërua sot, në rast se nuk plotësohen kërkesat e SBASHK-ut.
“Qeveria ka pasur kohë mjaftueshëm që t’i shqyrtojë kërkesat e SBASHK-ut dhe kjo zvarritje e paarsyeshme ka dërguar në dramatizimin e gjendjes dhe në marrjen e hapave më ekstrem sikur sot. Mirëpo mendoj një grevë e përgjithshme do të ishte edhe më i dëmshme për sistemin arsimor dhe për edukimin e rinisë sonë, andaj është koha e fundit që Qeveria të reflektojë, t’i lërë fjalët e bukura por punët e pakta që ka në këtë drejtim. Jemi duke pritur veprime konkrete, përndryshe me fjalë ky problem nuk zgjidhet”, ka shtuar Argjend Osmani.
Të premten e 20 majit është mbajtur protesta e punëtoreve nga disa institucione në sektorin publik kërkesat për miratimin e Ligjit të Pagave dhe ndarjen e 100 eurove për çdo muaj deri në aprovimin e këtij ligji, zbatimin e Ligjit për sigurime shëndetësore dhe për ndryshimin e ligjit për kontributet pensionale.