Kthimi në tryezën e dialogut është mënyra e vetme që Kosova e Serbia mund të arrijnë t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë një konference për media me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, përpara mbajtjes së Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë.
Ajo në këtë mënyrë i është përgjigjur pyetjes se çfarë pritet të ndodhë me Marrëveshjen e Ohrit, sidomos pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
“Marrëveshja e Ohrit është ajo që u arrit në shkurt dhe në mars janë baza, themele për pajtimin përmes dialogut. Është e rëndësishme që Kosova e Serbia të kthehen në tryezë për të normalizuar marrëdhënien e tyre, dhe kjo është e vetmja e mënyrë. Sepse dialogu është rruga e duhur për të ardhmen, sepse Kosova e Serbia do të jenë pjesë e BE-së”, tha ajo.