Një zëdhënës i ushtrisë izraelite ka hedhur poshtë raportimet e një armëpushimi në Gazën jugore, pasi agjencia e lajmeve Reuters citoi burime egjiptiane të sigurisë që njoftuan për një marrëveshje të tillë që do të përkonte me hapjen e kalimit kufitar Egjipt-Gaza.
Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, nënkoloneli Richard Hecht, i ka thënë BBC-së se ai nuk ka dijeni për ndonjë armëpushim.
“Unë po i shoh të gjitha këto raporte gjithashtu. Nuk ka asgjë që të konfirmoj”, ka thënë Hecht.
Kjo shpallje është bërë pasi raportet e mëparshme sugjeronin një marrëveshje të mundshme për të lejuar ndihmën humanitare të hyjë në Gazë në këmbim të nxjerrjes së të huajve jashtë territorit.
Por, zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka mohuar ekzistencën e këtij armëpushimi.
Një deklaratë nga zyra e Netanyahu-s thekson: “Aktualisht nuk ka armëpushim dhe ndihmë humanitare në Gaza në këmbim të nxjerrjes së të huajve jashtë”.
Izraeli njofton evakuimin e komuniteteve pranë kufirit me Libanin
Ushtria izraelite ka njoftuar një plan për të evakuuar komunitetet në Izraelin verior pranë kufirit me Libanin.
Banorët e 28 komuniteteve që shtrihen brenda 2 kilometrave (1.24 milje) nga kufiri do të zhvendosen “bujtina të financuara nga shteti”, thanë Forcat Mbrojtëse të Izraelit.
Një civil izraelit u vra në një sulm me raketa të Hezbollahut në një nga fshatrat pranë kufirit të dielën, sipas ushtrisë izraelite.
Izraeli ka kryer sulme gjatë natës në Liban, duke synuar infrastrukturën ushtarake që i përket grupit militant libanez Hezbollah. Nuk raportohet për viktima.
Hamasi thotë se nuk ka informacion për armëpushim
Kreu i zyrës së mediave të Hamasit ka deklaruar se ata nuk kanë informacion për një armëpushim humanitar të rënë dakord në Gazën jugore, sipas Reuters.
Salama Marouf i ka thënë agjencisë së lajmeve se nuk kanë marrë asnjë konfirmim nga pala egjiptiane për synimet për të hapur kalimin Rafah midis Gazës dhe Egjiptit.