Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar me rastin e vdekjes së ish-presidentit finlandez, Martti Ahtisaari.
Ajo e ka përshkruar ish-presidentin Ahtisaari si “një ndërmjetës të drejtë, të mbrehtë dhe me humor të jashtëzakonshëm”.
Ajo është shprehur se ata që e kanë njohur atë nga afër do ta kujtojnë gjithmonë për këto cilësi.
Gjithashtu, Çitaku ka përmendur një intervistë të presidentit Ahtisaari në CNN, pasi ai fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2008, ku në këtë intervistë, presidenti Ahtisaari përgjigjet në pyetjen e një gazetari amerikan në lidhje me pavarësinë e Kosovës.
Ai kishte krahasuar këtë situatë me “një hajn që vjedh kuletën, duke thënë se nuk është e drejtë të kërkohet vetëm një pjesë e pasurisë së vjedhur, por duhet të kërkohet kthimi i të gjitha vlerave të vjedhura dhe ndëshkimi i hajnit”, ka përfunduar Çitaku.
Ndryshe, presidenti Martti Ahtisaari ka vdekur sot në orën 06:40 në Helsinki në moshën 86-vjecare.
Martti Oiva Kalevi Ahtisaari shërbeu si president i Republikës së Finlandës në vitet 1994–2000. Ai ishte presidenti i dhjetë i Finlandës. Para Presidencës së tij, ai ka mbajtur disa poste të rëndësishme në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës dhe në Kombet e Bashkuara.
Pas presidencës së tij, Ahtisaari themeloi organizatën e respektuar të ndërmjetësimit të paqes CMI – Martti Ahtisaari Peace Foundation dhe punoi në negociatat ndërkombëtare të paqes dhe detyrat e ndërmjetësimit. Në shenjë mirënjohjeje për punën e tij afatgjatë për paqen, presidentit Ahtisaari iu dha Çmimi Nobel për Paqe në vitin 2008.
Njëherit, Ahtisaari ishte ndërmjetësuesi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës.