Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Yasar Guler (Yaşar Güler), nesër do të vizitojë Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes së Kosovës përmes një njoftimi për mediat.
“Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, nesër (e martë) më 17 tetor, do të presë në vizitë zyrtare ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Turqisë, Yasar Guler.
Ceremonia zyrtare e pritjes do të zhvillohet nga ora 09:00 dhe do të shoqërohet me togun ceremonial të FSK-së. Të dy ministrat do të mbajnë takimin tete-a-tete.
Po ashtu, ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Guler do të pritet në takim nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Pas përfundimit të takimeve të planifikuara, duke filluar nga ora 10:45, do të mbahet konferencë për media”, thuhet në njoftim.