Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se Kosova është në bllokadë pas sanksioneve të BE-së.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, para mediave, ai ka kërkuar heqjen e këtyre sanksioneve dhe të vendosen ndaj Serbisë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë ndaj Policisë së Kosovës.
“Theksova se Kosova është në bllokadë. Bashkimi Evropian vazhdon me sanksionet e veta. Mendoj që BE-ja duhet të veprojë me sanksione ndaj Serbinë për sulmin terrorist që e sponsorizoi më 24 shtator. Në të kundërtën, BE-ja t’i heqë sanksionet për Kosovën dhe se nuk ka logjikë që të ketë pozicion tjetër. Shpresoj që kjo çështje të diskutohet në Tiranë ku po mbahet Samiti i Berlinit. Mbajtja e Samitit të Berlinit në Tiranë për herët të parë në një vend jashtë vendeve të BE-së është lajm i mirë për shqiptarët, i cili meriton një vlerësim edhe nga Kosova”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka shprehur shqetësimet e tij se janari i vitit 2024 mund të jetë muaj i eksodit të shqiptarëve nga Kosova.
“Shqetësuese mbetet vazhdimi i humbjes së shpresës së të rejave dhe të rinjve që të qëndrojnë në Kosova. Janari i vitit 2024 mund të jetë janari i eksodit të shqiptarëve nga Kosova! Kryeministri Albin Kurti me shumicën më të madhe parlamentare, duhet ta vërë gishtin në kokë dhe të mendojnë se si të krijojnë një perspektivë për të rinjtë. Qeveria Kurti po arrin ta përmbyllë edhe një vit pa e vendosur një guri, pa e dhënë një shërbim, pa e rritur pagën në sektorin publik e privat, me bllokadë në sektorin e arsimit, shëndetësisë, të investimeve kapitale, e pa e bërë asnjë ligj që të kujtohet se ka bërë diçka.”, ka vijuar ai.
Ai ka theksuar se AAK-ja nuk ka kushte për Qeverinë, por vetëm kërkesa që janë “legjitime”.
“Kërkesa e parë është reflektimi te koeficienti i pagave nga 105 në 129 euro, kërkesa e dytë ka qenë për pagën minimale në sektorin privat dhe e treta për skemat pensionale. Në këtë aspekt, një lëvizje e AAK-së varet drejtpërdrejt prej lëvizjeve që i bën Qeveria në kërkesat tona”, ka theksuar ai.