Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se majoneza dhe majoneza me përshutë kanë rezultuar me Salmonella Enteritidis në rastin e helmimit të 30 personave në Mitrovicë.
Siç njofton AUV-u, kjo u dëshmua pas inspektimit në lokalin gastronomik të ushqimeve të shpejta në lokalin ku janë helmuar nxënësit.
“Majonezi dhe majonez me përshutë kanë rezultuar me Salmonella Enteritidis në rastin e helmimit në Mitrovicë
Më datë 6 tetor 2023 pas orës 18:00, kanë kërkuar ndihmë mjekësore në urgjencën e QKMF në Mitrovicë, pacient si raste të dyshimta në helmim me ushqim me shfaqje të simptomave: temperaturë, ethe, dhimbje barku, mundim, vjellje, dhembje të muskujve dhe kokëdhimbje. Kryesisht persona (nxënës të shkollave fillore, gjimnazit, shkollës ekonomike dhe shkollës së mesme të muzikës, e cila gjendet afër lokalit “Fast Food On Top”). Të gjithë pacientët kishin konsumuar ushqim në “Fast Food On Top” më datë 5 dhe 6 Tetor, 2023 para dite dhe pasdite (hamburgerë me pleskavicë, dyner, chicken burger, majonez, ketchup dhe sallatë ruse). Pas njoftimit, inspektorët sanitarë të AUV-së në Mitrovicë menjëherë kanë dalë në vend ngjarje bashkë me ekipin e QRSHP-ës dhe Policisë”, thuhet në njoftim.
“Inspektorët bashkë me Policë kanë nisur inspektimin në lokalin gastronomik të ushqimeve të shpejta “Fast Food On Top”, Rr. Skënderbeu, Mitrovicë. Fillimisht është ndaluar puna e lokalit sipas legjislacionit në fuqi. Janë marrë katër (4) mostra të ushqimit (hamburger, mishi i pulës, dyner, majonez dhe sallatë ruse). Ato janë dërguar për ekzaminim mikrobiologjik në QLT – IKShPK. Janë marrë katër (4) strisho të mjeteve të punës: nga pjata e servimit të ushqimit, nga shkopi i dynerit, nga tavolina para frigoriferit, nga kapësja e ushqimit. Një strisho nga duart e personit që ka përgatitur dhe shërbyer ushqimin.