Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), ka njoftuar se bordi i saj ka marrë vendim që ta shtyjë ekzekutimin e vendimit të datës 2 shkurt, me të cilin kishte miratuar vendosjen e bllokut tarifor në 800 kWh.
Përmes një komunikate për media, ZRrE, ka bërë të ditur se ky vendim është marrë pasi kanë pranuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, e cila ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike.
“ZRrE më datë 18 maj 2022, ka pranuar nga Gjykata e Apelit Aktvendimin AA.nr. 364/2022 me të cilin, Gjykata ka refuzuar ankesën e ZRrE-së dhe ka vërtetuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike, të aprovuar nga ZRrE, derisa Gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me padinë e paditëses”, thuhet në njoftim, transmeton Portali D.
Ndërsa, ZRrE ka njoftuar se të gjitha vendimet e bordit do të publikohen në faqen elektronike zyrtare të tyre, www.ero-ks.org.
Gjykata e Apelit, e kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin kishte pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për tarifat e reja të energjisë elektrike.
Apeli ka refuzuar si të pabazuar ankesën nga ZRrE-ja, kjo është bërë e ditur në njoftim të Apelit, të mërkurën.
“Është refuzuar si e pabazuar ankesa e të paditurës – kundër propozueses Zyra e Rregullatorit për Energji, me arsyetimin se janë të drejta dhe të ligjshme qëndrimet e gjykatës së shkallës së parë dhe se në rastin konkret janë plotësuar kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ të paraparë me nenin 22 paragrafi 2 dhe 6 të Ligjit për Konfliktet Administrative”, thuhet në vendimin e Apelit, transmeton PortaliD.
Ndërkaq, Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 prill të këtij viti, kishte aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses dhe propozueses, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kishte pezulluar vendimin e ZRRE-së për tarifat e reja për energji elektrike.
Gjykata e Apelit refuzon ankesën e ZRrE-së për shtrenjtimin e rrymës