Drejtoria e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut ka dërguar një kërkesë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, lidhur me shtyrjen e afatit për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe në ato të Republikës së Kosovës (RKS).
Kështu ka thënë për REL-in, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, duke theksuar se me këtë kërkesë u janë drejtuar qindra qytetarë.
“Pres që shpejt të marrim përgjigje nga MPB-ja. Presim një përgjigje pozitive”, ka thënë Elshani.
Elshani ka sqaruar se Policia e Kosovës nuk ka shqiptuar gjoba për qytetarët pas skadimit të afatit për riregjistrim për shkak se ka qenë “çështje politike”, dhe rikujton se procesi i riregjistrimit është pezulluar.
“Tani e kemi përsëritur kërkesën, nëse ka mundësi të përsëritet (procesi i riregjistrimit)”, ka shtuar ai.
Kjo çështje kishte krijuar një gamë të gjerë krizash në veri të Kosovës.
Në fillim të vitit të kaluar, barrikadat u ngritën si një shenjë e kundërshtimit ndaj riregjistrimit të këtyre automjeteve. Më pas, serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri si rezultat i moszbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e tyre.
Qeveria e Kosovës kishte planifikuar që të ndalojë qarkullimin e automjeteve me targa serbe në datën 21 prill 2023.
Megjithatë, në nëntor të vitit 2022, Kosova dhe Serbia patën arritur një marrëveshje lidhur me targat e automjeteve, ku Serbia pranoi të mos lëshonte targat e reja dhe Kosova hoqi dorë nga plani i riregjistrimit me afate të caktuara, paralajmërime dhe gjoba.
Megjithatë, të dyja palët më vonë e interpretuan ndryshe këtë marrëveshje.
Më 6 dhjetor 2022, Qeveria e Serbisë miratoi një dekret, në bazë të të cilit automjetet me targa KM lejohen të lëvizin pa etiketë regjistrimi, përkatësisht atyre u duhet vetëm t’u tregojnë zyrtarëve një policë sigurimi dhe një certifikatë kontrolli teknik.
Prishtina zyrtare e interpretoi këtë hap të Beogradit si renovim të regjistrimit me arsyetimin se bie ndesh me Marrëveshjen e Brukselit. Kështu, autoritetet e Kosovës ndaluan lëvizjen e automjeteve me targa KM në veri, të cilat ishin regjistruar pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në nëntor të vitit 2022.