Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se sulmin e 24 shtatorit e kanë “kalkuluar në votë, ani pse atë ditë ka humbur jetën një polic i Kosovës”.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se Kosova është shndërruar në problem të sigurisë derisa qeveria Kurti, sipas tij, mburret se si janë rritur në përqindje.
“Mburrja e eksponentëve të Qeverisë Kurti dhe deliri i tyre se pas 24 shtatorit janë rritur në përqindje, tregon se sa keq është Kosova e sa kalkulantë janë ata. Këta njerëz harrojnë që në një operacion të rendit dhe të ligjit është vrarë një hero dhe Kosova është shndërruar në problem të sigurisë e paftyrësisht mburren se si janë rritur në përqindje”, ka shkruar Haradinaj.
Sipas tij, kjo është qasje “mburravece” e qeverisë Kurti, e cila është duke i shkaktuar dëme Kosovës.
“Këta njerëz harrojnë që para shumë vitesh Kosova është ndier e sigurt, dhe nisur nga ky fakt, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar patën tërhequr trupat e tyre në kuadër të KFOR dhe tash janë detyruar të rikthehen. Këta njerëz nuk po e kuptojnë dëmin që po ia shkaktojnë Kosovës me qasjen e tyre mburravece dhe me të panjohurat që pasojnë kur çështja e sigurisë së brendshme kthehet në çështje të sigurisë ndërkombëtare”, ka vijuar ai.