Zëdhënësi i AUV, Lamir Thaçi I ftuar tek emisioni “Rreth e Rrotull”, ka shpalosur detajet e fundit tek inspektimet e AUV-it në Mitrovicë.
Sipas Thaçit, “salmonella” ka qenë shkaku kryesor i helmimit në qytetin e Mitrovicës, më sakësisht nga produkti i majonezit dhe majonezit me proshutë.
“Është inicuar fletëparaqitja për Gjykatë dhe do të dërgohet e kompletuar dosja, me gjitha të gjeturat nga inspektimi, d.m.th gjendja higjenike, sanitare, mbledhja e informatave mbi furnizimet dhe të gjitha këto do të kompletohen me rezultatet e analizave”, ka shtuar Thaçi.
Për rastin e helmimit të mbi 200 personave në Malishevë, janë duke pritur rezultatet e pastaj të vendoset procedura gjyqësore.
“Ndërsa tek rasti në Malishevë jemi në pritje të rezultateve, pasi që ka përfshirë numër më të madh të qytetarëve të cilët janë atakuar dhe është dashtur dy ditë për të mbledhur dëshmi dhe fakte që të mos mbetet asnjë pistë e pa hulumtuar, e pa gjurmuar dhe pa mbledhur faktet. Të premten kemi nisur, prej momentin që kemi pasur rastin e pare dhe kemi vazhduar në mesnatë. Të shtunën, poashtu janë marrë pesë monstra të ushqimit, 26 strisho dhe monstra të ujit nga tri burime”.
Ndërsa, rasti në Mitrovicë është mbyllur dhe qytetarët janë të gjithë mirë.
Tutje, ai ka shtuar se nuk ka inspektor të mjaftueshëm për të kryer inspektimet e nevojshme, sipas Thaçit në krejt Kosovën veprojnë 54 inspektorë.
“Shëndeti dhe jeta e qytetarëve është e padiskutueshme, kushdo që në çfarëdo forme tenton të rrezikoj, do të marrë komplet ndëshkimin e merituar nga autoritetet”, ka shtuar Thaçi.
Gjatë ditës së djeshme, janë mbyllur pesë lokale, dhe gjashtë prej tyre janë inicuar fletëparaqitjet në Gjykatë, dhe dy prej tyre janë ndëshkuar me gjoba mandatore.
Sipas Thaçit, “ata të cilët nuk janë të regjistruar, do të pasohen me mbylljen e tyre”.