Rikthehen grevat dhe protestat, theksohet nevoja për dialog social

Muajt dhe javëve të fundit janë shtuar pakënaqësitë te sindikatat dhe organizatat e ndryshme, siç është ajo e veteranëve. Pas paralajmërimeve të shumta kanë filluar protestat e grevat me kërkesë kryesore, rritjen e pagave. Zgjidhje për të mos eskaluar situata po shihet dialogu social mes tyre dhe Qeverisë së Kosovës

Protesta e BSPK-së

Pakënaqësitë në shoqërinë tonë janë shtuar së fundmi, e që këto pakënaqësi veçse janë shndërruar në protesta e greva nga kategori të ndryshme shoqërore, duke u nisur nga sindikatat në tërësi e deri te paralajmërimet për protesta masive e “destabilizim” të vendit nga Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL) të UÇK-së.

Deri më tani më e zëshmja me kërkesat e tyre ka qenë Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), të cilët më tre prill kanë mbajtur protestën e tyre të parë për këtë vit. Kjo sindikatë, më 10 maj, ka mbajtur grevë njëorëshe në të gjitha institucionet publike të arsimit, me disa përjashtime të vogla, ndërsa protestën e fundit bashkë me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), e kanë mbajtur me 20 maj.

Kërkesat kryesore të sindikatave janë:

  1. Rritja e pagave për 100 euro për të gjithë të punësuarit që marrin paga nga buxheti i Kosovës deri sa të përmbushen kërkesat e mëposhtme.
  2. Miratimi i Ligjit të Pagave.
  3. Rritja e rrogës minimale
  4. Fillimi i zbatimit të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor
  5. Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale
  6. Të ndryshohet neni në Ligjin e Sigurisë Pensionale të vitit 1983, sipas të cilit, kërkohet që të ketë 15 vjet kontribut në skemat pensionale para datës 01.01.1999.

May be an image of 5 people, people standing and outdoors

Analisti Visar Ymeri në një përgjigje për PortaliD, ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka obligim që të dalë me një plan gjithëpërfshirës, për sanimin e krizës që ka shkaktuar pandemia Covid-19 dhe së fundmi lufta në Ukrainë.

Ymeri ka thënë se kërkesat e sindikatave për rritje të pagave janë të kuptueshme, por ka theksuar se jo çdo herë një gjë e tillë do ta zgjidhte problemin e krizës ekonomike, sepse sipas tij, me rritjen e pagave mund të rritet edhe inflacioni.

“Qeveria duhet të bëjë projektim të saktë të nevojave dhe rritjes së çmimeve në të ardhmen dhe të parashehë masa për t’i ndihmuar shtresat më të rrezikuara të shoqërisë. Duhet domosdo që skemat pensionale dhe ato të asistencës sociale të indeksohen me çmimet e konsumit. Por më e rëndësishmja, të marrë masa për stabilizim të çmimeve, pra për luftim të inflacionit, përmes përcaktimit të çmimeve tavan për produktet e rëndësishme për jetë”, ka thënë Ymeri

Visar Ymeri-analist

Tutje Ymeri, është shprehur se Qeveria e Kosovës duhet të gjejë rrugë të bashkëpunimit me sindikatat e jo të luftojë me to. Ai ka theksuar se veprimet që po i bën partia në pushtet janë në kundërshtim me frymën që vetë e kanë proklamuar gjatë viteve.

Sipas tij, zgjidhje e vetme është që të zhvillohet dialogu social me sindikatat në mënyrë që t’i diskutojnë problemet.

“Nëse sindikatat ndihen të përjashtuara nga dialogu social, atëherë ato nuk kanë mundësi tjetër përveç grevës e protestës. Këto janë mjete plotësisht legjitime sindikale për të arritur qëllimet e tyre. Por kërkesa e tyre nuk janë domosdo e përherë të mundshme. Prandaj duhet dialoguar me to dhe, edhe qeveria e edhe sindikatat të jenë të arsyeshëm e fleksibil për sa i përket mundësisë për dakordim”, ka thënë Ymeri.

Për dallim nga Ymeri, analisti Rasim Alija, fajin ia ka lënë sindikatave. Ai ka hedhur kritika te Sindikata e Bashkuar e Arsimit, e cila sipas tij, nuk e ka për qëllim rritjen e cilësisë në sektorin e arsimit, por vetëm përfitimet materiale.

“Këto revoltat e sindikatave, në veçanti ajo e SBASHK, më shumë flasin për natyrën e organizimit sindikal se sa për ndonjë kërkesë që është puro sindikaliste. Të reduktuar në pushime në Shëngjin e Durrës, e të barrikaduar kundër reformave që kanë qëllim rritjen e cilësisë në arsim, revolta e kërkesat e SBASHK, kanë në përmbajtje vetëm aspektin material”, ka deklaruar Alija.

Rasim Alija

Sipas tij, një pjesë e mësimdhënësve nuk i justifikojnë as pagat aktuale që i marrin.

Alija ka ndarë mendimin e njëjtë edhe për kërkesat e veteranëve, duke thënë se njëherë duhet të “pastrohen”, listat e tyre, që sipas tij, i ka futur politika në mënyrë të padrejtë.

“Gati e njëjtë duket situata edhe me kërkesat e veteranëve. Nuk do duhej që asnjë cent të rriten përfitimet për këto kategori pa u hequr nga listat ata që i ka futur politika e grupet e interesit. Me paratë e buxhetit që sot u ndahen përfituesve jomeritor, në të ardhmen mund të financohet skema e pensioneve për veteranët. Kjo i bie që edhe do të rritej shuma e përfituar, edhe do t’u kthehej dinjiteti!”.

Sipas analistit Alija, zgjidhja e vetme mbetet dialogu social, por pa shantazhe të ndërsjella.

Protestat e veteranëve të UÇK-së

Ndërkohë sindikatat kanë paralajmëruar përsëri protesta dhe greva gjithëpërfshirëse nëse kërkesat e tyre nuk ju realizohen. Protesta kanë paralajmëruar edhe kategori të ndryshme, sikurse veteranët e UÇK-së, të cilët kanë kërkuar rritjen e pensioneve të tyre. Po ashtu, mundësinë për protestë nuk e kanë përjashtuar as stafi mbështetës i infermierëve të cilët ka dy muaj që nuk kanë marrë pagë edhe pse kanë kontrata valide deri në qershor të 2022.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika