Kryeministri Albin Kurti është takuar të shtunën, joformalisht, me Gabriel Escobarin, të Dërguarin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor.
Në pritjen e organizuar nga organizata American Councils për kryeministrin kosovar në Washington D.C., ishte i ftuar edhe Escobar.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se kryeministri Kurti është në përfundim të qëndrimit të tij në Washtington D.C, dhe se aty është pritur nga American Councils dhe musafirët e tjerë të ftuar.
“Kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për rolin e American Councils në ngritjen e kapaciteteve intelektuale dhe profesionale, si dhe përvojave kulturore të vendit nëpërmjet programeve të ndryshme nga të cilat kanë përfituar qindra studentë të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
“Ai tha se programe të tilla, ku studentët tanë shkollohen në universitete amerikane, për t’u kthyer pastaj për të dhënë kontributin e tyre në vendin tonë, janë tejet të rëndësishme për zhvillimin e vendit tonë”, vijon njoftimi.
Më 19 maj, Escobar ishte takuar në Washington me Miroslav Lajçak, të Dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.
Po ashtu më 11 maj, ai ishte takuar me kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinajn.