Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kërkuar shkarkimin e bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bllokimin e tarifave të shtrenjtuara të energjisë elektrike.
Përpos shkarkimin e bordit, Abdixhiku ka kërkuar që qytetarëve t’u kthehen të hollat shtesë, me të cilat kishin paguar faturat e energjisë me rritje.
“Tarifat u detyruan t’i kthejnë. Tani duhet kthyer edhe paratë e plaçkitura kundërligjshëm për disa muaj rresht. Janë para tuaja; u janë marrë pa të drejtë. Dhe jo vetëm kaq. Bordi i Qeverisë e ZRRE-së, i njëjti, që për muaj rresht e në mes të dimrit, ngarkoi familjet kosovare me çmime astronomike në energji – duhet të shkarkohet menjëherë. Ata s’kanë më asnjë kredibilitet”, ka shkruar ai në Facebook.
I pari i LDK-së, ka bërë të ditur se nga dita e hënë do t’i fillojnë procedurat e nevojshme parlamentare për shkarkimin e bordit të ZRrE-së. Sipas tij, shkarkimi i bordit nuk ka asnjë alternativë tjetër.
“Shkarkimi është i paalternativë. Siç është e paalternativë dhe përgjegjësia morale e secilit deputet, ministër e vetë kryeministrit që me bindje plot, mbronin këtë vendim plaçke e diskriminimi që tani më ka marrë vulën e turpit e paligjshmërisë”, ka shtuar ai.
Gjykata e Apelit kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin kishte pezulluar vendimin e ZRrE-së për tarifat e reja të energjisë elektrike.
Pas këtij vendimi, ZRrE ka njoftuar se bordi i saj ka marrë vendim që ta shtyjë ekzekutimin e vendimit të datës 2 shkurt, me të cilin kishte miratuar vendosjen e bllokut tarifor në 800 kWh.
Përmes një komunikate për media, ZRrE kishte bërë të ditur se ky vendim është marrë pasi kanë pranuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, e cila ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike.