Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale të “trafikimit me qenie njerëzore”.
Siç thuhet në njoftimin e Policisë, pas një hetimi intensiv, janë identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar, me inicialet A. K., 45-vjeçar dhe shtetas i Kosovës, dhe R. K., 32-vjeçare, shtetase e Shqipërisë.
“Me datën 18.10.2023, pas informacioneve të pranuara për dyshimet lidhur me kryerje të veprës penale ‘trafikim me qenie njerëzore’, Sektori Qendror i Hetimeve nga DHTQNj, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë e lartcekur, ka zhvilluar hetime intensive, ku si rezultat janë identifikuar dhe janë arrestuar dy persona të dyshuar me iniciale A. K. viti i lindjes 1978 m/shtetas kosovar dhe R. K. viti i lindjes 1991 f/shtetase e Shqipërisë, pasi të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprën ‘trafikim me njerëz’ nga neni 165 i KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pas vendimit të prokurorit të kompetent, personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për procedurat e mëtejshme.
Ndërsa, viktimat e përfshira në këtë rast u janë nënshtruar procedurave për trajtimin e tyre, duke i ofruar mbështetjen dhe ndihmën e nevojshme.