Cilat ishin gjetjet e shoqërisë civile për vlerësimin e Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit?

Gjetjet e raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizjes Fol dhe Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) mbi procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit të Kosovës vlerësojnë integritetin e këtij procesi

I propozuari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, nuk është dekretuar nga presidentja Vjosa Osmanin për Kryeprokuror të Shtetit.

Në arsyetimin e saj, Osmani tha se për vendimin është bazuar edhe në gjetjet e raportit të shoqërisë civile.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja Fol dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), në mars të 2022-ës kishin dalë me raport mbi monitorimin dhe vlerësimin e procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit me titullin “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit”.

Por, cilat ishin gjetjet e raportit?

Fillimisht, raporti gjeti se vetë procesi për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit ishte i dizajnuar në mënyrë joadekuate. “Shumica e pyetjeve në formularin e koncept dokumentit për kryeprokuror të shtetit janë të bazuara në ligjet e shfuqizuara dhe kohën kur Kryeprokurori i Shtetit njëkohësisht ishte edhe Kryesues i KPK. Shumë pyetje në këtë formular ndërlidhen me proceset që janë kompetencë e KPK dhe jo Kryeprokurorit të Shtetit. Në intervistat me gojë, shumica e kandidatëve nuk kanë qenë në gjendje që të bëjnë dallimin në mes të kompetencave bazë të Kryeprokurorit të Shtetit dhe atyre të KPK”, thuhej në këtë raport.

Koalicioni gjatë monitorimit dhe vlerësimit të procesit kishte vërejtur se jo të gjithë kandidatët janë trajtuar në mënyrë të barabartë, ku për disa kandidatë Paneli Vlerësues ka pasur një qasje të privilegjuar e cila qartazi është vërejtur në publik. Raporti theksonte se vlerësimi prej 74 e deri në 98 pikë i kandidatëve, nga maksimumi prej 100 pikëve, është qartazi i pabazuar në një vlerësim objektiv dhe nuk siguron meritokraci në vlerësim.

Blerim Isufaj ishte në mesin e pesë kandidatëve të cilët kishin arritur t’i hynin garës për Kryeprokuror të Shtetit.

Çështja e parë në të cilën ishte ndalur raporti i IKD-së lidhur me vlerësimin e Isufajt, kishte qenë Koncept-dokumenti i prezantuar për vlerësimin e gjendjes dhe ofrimin e zgjidhjeve.

Sipas raportit, Isufaj disa kërkesa të udhëzuesit i kishte trajtuar vetëm shkarazi, duke ofruar informata të përgjithshme, pa një analizë të detajuar e cila do të krijonte bindje se i njeh problemet.

Tek mangësitë, Isufaj kishte përmendur dënimet e pakta dhe numrin e ulët të konfiskimeve, por se i kishte përmendur si faktorë që ndikojnë në uljen e besimit të publikut në sistemin prokurorial dhe jo si mangësi në vetvete.

Koncept-dokumenti i prezantuar nga Isufaj nuk e kishte vlerësuar fare situatën e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe nëse strategjitë e sistemit të drejtësisë i adresonin nevojat e  Prokurorisë.

Në vizionin e tij për përmirësimin e punës, Isufaj kishte folur për fokusin që do të ketë në luftimin e krimit të organizuar, financiar, terrorizmit, krimeve të luftës, korrupsionit etj, duke mos përmendur faktin se luftimi i këtyre formave të kriminalitetit nuk është kompetencë e Prokurorisë për të cilën ai kishte aplikuar.

Isufaj kishte ngatërruar konsiderueshëm kompetencat edhe në raport me institucionet e tjera.

Tek veprimet që Isufaj planifikonte të ndërmerrte si Kryeprokuror i Shtetit, ishte “Rishikimi  i kornizës ligjore dhe nënligjore në ridefinim të kompetencave në mes të Prokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial për fushën e administrimit”, përkundër se rishikimi i kornizës ligjore është kompetencë e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, ai kishte thënë se do të hartohet edhe Koncept-dokumenti për Ligjin për Statusin e Prokurorëve, kompetencë kjo e Qeverisë së Kosovës.

Shoqëria civile kishte vlerësuar po ashtu se Isufaj nuk e kishte sqaruar si duhet vizionin e tij për të menaxhuar stafin dhe sistemin prokurorial.

Lidhur me vizionin për të përmirësuar integritetin dhe llogaridhënien e sistemit dhe besueshmërinë e publikut, nuk kishte dhënë një plan të detajuar, të ndërtuar mbi skanimin e gjendjes së integritetit dhe llogaridhënies në sistemin prokurorial.

Sa i përket intervistës së Isufajt si kandidat, pjesa qendrore e saj kishte pasur të bëjë me koncept-dokumentin e dorëzuar nga ai.

Për ngritjen e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë, në disa raste, Isufaj kishte treguar se si  duhet ta shoh publiku drejtësinë, pa treguar se cila do të jetë strategjia për ngritjen e besimit të publikut në sistemin prokurorial.

Gjatë prezantimit, vlerësimi i shoqërisë civile kishte gjetur se Isufaj pa një qasje analitike kishte kaluar nga një temë në tjetrën, duke mos treguar praktikisht se cili ishte vizioni i tij për përmirësimin dhe avancimin e punës së Prokurorit të Shtetit.

Koalicioni i OJQ-ve, kishte vlerësuar se Paneli Vlerësues e kishte favorizuar Isufajn në raport me kandidatët e tjerë, duke mos e pyetur për raste të caktuara që ishin diskutuar në publik mbi integritetin e tij, si emërimi në krye të PSRK-së në situatë të konfliktit të interesit, akuzat e ngritura nga ish-prokurori Elez Blakaj për ndërhyrje në rastin e veteranëve, etj.

Kur ishte pyetur mbi Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Isufaj kishte thënë se nuk ka ndonjë koment për këtë ligj, por se në punën e tij, performanca dhe integriteti do të jenë prioritet.

Kur ishte pyetur për kufizimin dhe suspendimin e të drejtave të njeriut, Isufaj kishte treguar mungesë njohurie të thellë.

Fillimisht,  Isufaj kishte thënë se Kushtetuta e Kosovës i ka të aprovuara të gjitha konventat ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut.

Sipas tij, disa të drejta mund të anulohen, por kjo nuk duhet të zgjatë më tepër sesa situata që ekziston. Ai kishte thënë se në situata të tilla, duhet të njoftohet Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës.

Tutje, në pyetjet për kufizimin dhe suspendimin e të drejtave të njeriut, Isufaj kishte vazhduar të elaborojë nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që flet për të drejtën për një proces të rregullt. Përmes kësaj përgjigje, Isufaj kishte demonstruar mungesë të thellë të njohurive në këtë fushë.

Sipas raportit, Kushtetua e Republikës së Kosovës i ka inkorporuar 9 Konventa ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, por se jo të gjitha konventat e kësaj natyre, siç thoshte Isufaj.

Sa i përket informimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, kjo nuk aplikohet në rastet e kufizimit të të drejtave të njeriut, por vetëm në rastet e suspendimit apo derogimit të të drejtave të njeriut. Po ashtu, Isufaj nuk përmendte faktin se ky obligim zbatohet vetëm për  shtetet palë të Konventës, që nuk është rasti i Kosovës

Ndryshe, IKD, Lëvizja Fol dhe Grupi për Studime Juridike kishin ofruar shtatë rekomandime në këtë raport.

Njëra prej rekomandimeve të dhëna të shoqërisë civile ishte edhe anulimi i tërësishëm i procesit për përzgjedhjen dhe emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit për shkak të shkeljeve procedurale dhe defekteve të evidentuara nga koalicioni në procesin e monitorimit dhe vlerësimit të këtij procesi. Ky rekomandim nuk u përfill nga KPK, të cilët rekomanduan Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit tek Presidentja e Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika