Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, ka shpalosur detaje lidhur me përmbajtjen e rezolutës, për të cilën këtë të enjte do të votohet pro ose kundër në Parlamentin Evropian.
Ajo, sipas Reuten, është titulluar “Normalizimi Kosovë-Serbi”.
Ai thotë se paragrafi i 26-të i rezolutës ka të bëjë me çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Eurodeputeti holandez thekson se marrëveshja për vizat nuk është dhe s’do të lidhet me procesin e dialogut, dhe se e njëjta duhet të hyjë në fuqi më një janar të vitit 2024.
“Paragrafi i rezolutës ‘Normalizimi Serbi-Kosovë’, që do të votohet nga PE: 26. Rikujton se marrëveshja për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk është dhe nuk duhet të lidhet me dialogun dhe duhet të hyjë në fuqi më së voni më 1 janar”, shkruan Reuten.
Ndryshe, Ambasada e Francës në Kosovë ka sqaruar deklaratën e presidentit francez, Emmanuel Macron, në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën.
Në një përgjigje për Dukagjinin, thuhet se Macron e ka vënë theksin te pritshmëritë nga palët të jenë përgjegjëse për veprimet e tyre.
Po ashtu, nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është kërkuar t’i dënojë sulmet e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
“Gjatë konferencës për medie me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, theksoi nevojën që të dyja palët të dëshmojnë një frymë përgjegjësie. Ai nënvizoi qartë pritshmëritë e tij nga presidenti serb, Vuçiq : të dënojë me vendosmërinë më të madhe aktet e 24 shtatorit dhe të ndihmojë në rivendosjen e qetësisë në kufi”, thuhet në përgjigje.