Përpjekje të reja perëndimore për rinisjen e dialogut

I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të udhëheqësve të Gjermanisë, të Francës dhe të Italisë dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Gabriel Escobar, do të takohen të shtunën më 21 tetor në Kosovë dhe Serbi. Ky takim synon rinisjen e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, pas sulmit të 24 shtatorit kundër Policisë së Kosovës në veri

I dërguari amerikan, Gabriel Escobar, ( i dyti majtas) ai evropian, Miroslav Lajçak (në qendër) dhe të dërguar të Gjermanisë, Francës e Italisë në Kosovë

I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të udhëheqësve të Gjermanisë, të Francës dhe të Italisë dhe i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, do të qëndrojnë të shtunën më 21 tetor në Kosovë e Serbi.

Ata do të takojnë ndaras dy udhëheqësit e dy vendeve, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në përpjekje për të rinisur procesin e dialogut, me synim përmirësimin e marrëdhënieve, sidomos pas sulmit të 24 shtatorit kundër Policisë së Kosovës në veri.

“Qëllimi i kësaj vizite është arritja e një përparimi konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtensionimin pas zhvillimeve të fundit”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Sipas tij, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë mbështetës të mëdhenj të procesit të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe të së ardhmes evropiane të të gjithë rajonit.

Zëdhënësi Stano tha se BE-ja ka “pritje të qarta nga palët që të vazhdojnë procesin e normalizimit dhe të përmbushin pa vonesa dhe pa kushte detyrimet e tyre”.

Ndërsa, Kosova nuk i beson më dialogut në formatin e mëparshëm.

Nga ana e Kosovës duket se mungon besimi te formati i mëparshëm i dialogut. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh se procesi i dialogut me Serbinë duhet të “ridizajnohet” pas sulmit të 24 shtatorit, duke ritheksuar thirrjen e Prishtinës zyrtare “për sanksionimin e Serbisë dhe përparësinë që duhet t’i jepet sigurisë në Kosovë”.

“I gjithë procesi i dialogut duhet të ridizajnohet, nëse mund ta quaj kështu, në atë mënyrë që merret parasysh 24 shtatori. Nëse injorohet 24 shtatori, e injorohet shkelja e nenit 3 të marrëveshjes, që kërkon që asnjëra palë të mos e përdorë dhunën si mjet apo të kryejë akte agresioni kundër tjetrës, atëherë, vërtetë dëmi më i madh i bëhet vetë procesit të dialogut. Dëmi më i madh i bëhet edhe paqes e stabilitetit në rajon”, ka thënë presidentja Osmani.

Edhe kryeministri Kurti thotë se në lidhje me dialogun, “ai nuk mund të vazhdojë sikur të mos ketë ndodhur asgjë më 24 shtator”. Pas një takimi që zhvilloi me kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Michael Roth, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që u mbajt Tiranë, Albin Kurti, tha se “Kapitulli i ardhshëm i dialogut për normalizim duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë përmes sulmit terrorist të 24 shtatorit”.

“Qasja në proces duhet të jetë e balancuar, të respektohet dhe zbatohet në plotni Marrëveshja Bazike dhe aneksi i saj. Serbia të zmbrapset nga refuzimi publik dhe faktik i pjesëve të Marrëveshjes Bazike, të cilat kanë të bëjnë me njohjen de-facto të Kosovës dhe integritetin tonë territorial”, ka thënë kryeministri Kurti.

Në lidhje me këtë marrëveshje i dërguari i qeverisë gjermane për Ballkanin, Manuel Sarazin, ka thënë se “Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit janë ligjërisht ende funksionale, mirëpo nevojitet një ripërkushtim politik i Kosovës dhe i Serbisë për zbatimin e tyre”.

“Ne besojmë fuqishëm se nuk është ide e mirë të fokusohemi vetëm në depërshkallëzimin, në të njëjtën anë, ne duhet gjithashtu të përpiqemi që Marrëveshja e Ohrit të zbatohet përsëri, dhe të bëjmë një shtytje të mëtejshme për të marrë përsëri rezultatin e përgjithshëm pozitiv atje. Dhe kjo është ajo që mund të prisni nga Gjermania dhe nga Bashkimi Evropian, që edhe tani, dhe veçanërisht tani, do të përpiqemi të bëjmë një shtytje të re për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit në terren nga të dyja palët, dhe ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të jenë konstruktive dhe pozitive në këtë proces”, është shprehur Sarrazin.

“Dialogu nuk ka kuptim pa qëndrim të qartë nga ana Serbisë”.

Vizita e emisarëve perëndimorë në Kosovë e Serbi vlerësohet pozitivisht në Kosovë. Njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani, tha për DW-në se shpreson që “emisarët perëndimorë, do të vijnë me një propozim të ri që të plotësohet marrëveshja e Ohrit”.

“Situata dhe rrethanat kërkojnë urgjencë në gjetjen e një zgjidhje përfundimtare në njohjen reciproke. Pas ngjarjes se 24 shtatorit, dialogu nuk ka kuptim pa qëndrim të qartë nga ana Serbisë, njohjen de jure të Kosovës, pra një pako e re për ta plotësuar Marrëveshjes e Ohrit. Nëse asgjë e re nuk ndodh dhe s’ka propozim të qartë dhe final, nuk ka kuptim më. Kosova ka mundur shumë lehtë të rrëshqas në një konflikt të gjerë, pra të hapur me pasoja të mëdha”, ka thënë Blerim Burjani.

Nga ana e tyre, SHBA-ja përmes ambasadorit në Prishtinë, Jeff Hovenier, kanë thënë se “zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një nga mënyrat për të rritur sigurinë e Kosovës”, dhe se sulmi i 24 shtatorit tregoi se nuk ka kohë më për të humbur.

Autoritet e Kosovës e akuzojnë Serbinë për organizimin e sulmit të 24 shtatorit ndaj policisë në fshatin Banjskë në veri, ku u vra një oficer policie dhe tre nga sulmuesit. Autoritetet e Beogradi kanë mohuar çfarëdolloj lidhje me grupin e armatosur që kreu sulmin, përgjegjësinë për të cilin e mori Milan Radojçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe. Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se “strukturat kriminale serbe synojnë destabilizimin e vendit”.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika