Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten ka pritur në takim koordinatoren Rezidente të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence.
Spence ka përgëzuar kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës për faktin se janë në mes të 23 vendeve nga 130 që kanë regjistruar zotimet e tyre për Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDG) në platformën elektronike të OKB-së.
Duke biseduar për zotimet e Kosovës, u theksua angazhimi i Qeverisë për të përshpejtuar përmbushjen e premtimit për zhvillim të qëndrueshëm dhe realizimin e Agjendës 2030.
“U ritheksuan zotimet transformuese të Qeverisë që do të fokusohen në katër prioritetet kryesore të politikave: për të zvogëluar shkallën e varfërisë, për të rritur kapacitetin e energjisë së ripërtëritshme, për transformim digjital, si dhe ndërmarrjen e reformave të rëndësishme në sistemin arsimor”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Duke vlerësuar lart bashkëpunimin e deritanishëm të Qeverisë së Kosovës me UNKT, u ritheksua gatishmëria për thellimin dhe zgjerimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi.
“U diskutuan mënyrat konkrete të angazhimit të përbashkët të agjencive të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Qeverisë”, thuhet tutje.