Gjatë muajit tetor, interesimi për të kryer testin e mamografisë në Klinikën e Radiologjisë në QKUK është rritur. E, rrjedhimisht është zgjatur edhe lista e pritjes.
Një nga shumë gratë që ka kryer këtë kontroll, i cili shërben për të diagnostikuar prezencën eventuale të kancerit të gjirit, e ka kryer edhe Vahide Rama.
59-vjeçarja thotë se nuk ka pritur gjatë për t’iu nënshtruar mamografisë.
“Kam aplikuar para tre ditëve. Jam shumë e kënaqur sepse edhe stafi është i mirë dhe ka njëfarë rendi”, ka thënë Vahide Ramaj, 59-vjeçare.
Drejtoresha e kësaj Klinike, Shkëndije Nuza i ka treguar televizionit se në muajin shtator, pritja ishte më e shkurtër sesa tani.
“Pavarësisht se kemi duplifikuar shërbimet e pacientëve që do bëjnë mamografi, kërkesat janë rritur dhe kërkesat për ekzaminime veçse po rriten”, ka thënë drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë në QKUK, Shkëndije Nuza.
“Janë dhjetë ditët e fundit të tetorit, kërkesat janë shumë të larta, terminet janë deri më 2-3 nëntor por nëse pacientja vjen e dyshimtë, kryhet brenda ditës”.
Në të kaluarën pritjet ishin shumë më të gjata, shkaku i mungesës së aparaturave nëpër komuna.
Aktualisht, në listë të pritjes janë afro 200 gra.
Klinika e Radiologjisë përfundon rreth 4000 mijë mamografi në vit.